Ish-Zëvendëskancelari austriak Erhard Busek, në një ligjëratë në Prishtinë, ka kërkuar që politikanët kosovarë të tejkalojnë mospajtimet në mënyrë që Kosova të ec përpara. Duke folur për gjendjen në Kosovë, ai ka marrë shembull Austrinë e cila pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë buzë luftës civile.
Erhard Busek, ish-zëvendëskancelar i Austrisë, diplomat i mirënjohur evropian, i angazhuar shumë rreth çështjes së Kosovës, njëherësh koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim Juglindor (SECI), në konferencën njëditore: “Dita austriake-kosovare e integrimeve evropiane”, organizuar nga UBT-ja dhe Shoqata austriake-kosovare, ka porositur kosovarët që të japin shembuj më praktikë, që të jenë pjesë e integruar brenda BE-së. Ai, duke u bazuar në gjendjen aktuale në Kosovë, theksoi se edhe Austria pas luftës së dytë botërore, kur po krijohej nga një monarki, kishte probleme dhe ishte afër luftës civile.
“Atëherë kishte përplasje të konsiderueshme njëri me tjetrin, por ishte arritur që të mos ndodhte luftë civile, që do të ishte fundi i Austrisë”, saktësoi ai, teksa jepte mesazhin se edhe kosovarët duhet të merren vesh.
“Nëse nuk do të merreshim vesh nuk do të shkonim përpara. Kishte diferenca të thella, por kishte qasje për kompromise”, shtoi ai dhe porositi që pavarësisht diferencave dhe mospajtimeve të brendshme, duhet bashkëpunuar për të mirën e Kosovës.
“Duhet të keni bashkim, ashtu siç ishit të bashkuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të mjaftoheni me historinë, me dhunën e Milosheviqit, por me zhvillimin. Ju duhet të promovoni vendin tuaj me turizëm, trashëgimi kulturore, të vetëmonitoroheni, të bëni më shumë punë, të bëni universitete cilësore për t’i përgatitur gjenerata me edukim, me hulumtime për integrime evropiane etj”, ka thënë diplomati austriak, citohet GazetaExpress.