Të gjithë e keni parë të paktën një herë Besmir Limanin. Ndoshta nuk e njihni me emër, por ai është tifozi më i veçantë i kombëtares shqiptare që e ndjek çdo ndeshje i lyer me fytyrën me shqiponjë. I ftuar këtë të premte në Klan News, një ditë pas fitores ndaj Çekisë, Limani tregoi se kurrë nuk ka hyrë në stadium jo i ngjyrosur. Përballja me Çekinë ishte ndeshja e tij e 40-të i ngjyrosur me fytyrën me shqiponjë.
“Kurrë nuk kam hyrë në stadium brenda jo i ngjyrosur. Mbrëmë ishte ndeshja e 40-të që kam hyrë”, tha ai.
Tifozi më i veçantë i kuqezinjve tregoi se si nisi ideja për të vendosur flamurin kombëtar në fytyrë.
“Në ndeshjen në Zvicër në vitin 2013 kam marrë flamurin, do e harroj diku dhe vendosa që flamurin më të bukur që e kemi në fytyrë edhe pse nëse e krahason foton e 2012 me këtë imazh që bëj tani është diferencë e madhe”, u shpreh ai duke rrëfyer se është një person tjetër që e ndihmon të bëjë shqiponjën, ndërsa ngjyrosjen e bën vetë.
Por të ndjekësh kombëtaren ka edhe kosto. Limani tha se ndeshja më e lirë i ka kushtuar 400 Euro, ndërsa më e shtrenjta 2000 Euro.
“Është mirë që nga njëra anë është ana e bukur që vjen ndeshja, por nga ana tjetër le shumë gjëra anash. Unë atje jam i punësuar dhe kam 5 javë pushim për 1 vit. Kur më pyesin u them dy javë. Pse më thonë dy javë, sa punon 50%. Unë them se 2-3 javë më merr kombëtarja. I merr pothuajse gjysma kombëtarja. Financat nuk i prek dot me numra, por ndeshja më e lirë që kam ndjekur ka qenë diku 400 Euro me avion, biletë stadiumi, hotel, me të ngrënë dhe pirë. Më e shtrenjta e kemi pasur në Izrael dy herë që kam shkuar, 5 herë më shtrenjtë, rreth 2 mijë ka shkuar. Bilanc nuk do të thoja se unë do të vijë dita dikur që edhe nuk do të ngjyrosem më e kam të qartë. Por prapë se prapë edhe si një plak me shkop ndoshta në dorë do të hyj në stadium për të ndjekur kombëtaren se aty jam vetvetja”, tha ai.
Moment më të vështirë konsideron faktin që kur kalon i ngjyrosur në doganë policët habiten se është tifoz i Shqipërisë, por nga ana tjetër nuk ka pasaportën shqiptare.
Edhe për të marrë pasaportën shqiptare tha se shpreson që të mbyllet shumë shpejt procesi.
“Për punën e pasaportës më në fund po i vjen fundi falë edhe kolegut tuaj Erion Todhe që e përshëndes, i cili më shtyu pak më tepër dhe bëri një bujë më të madhe. E njëjtë është sikur ke ditëlindjen. Edhe unë dje kisha ditëlindjen. Sikur ke tortën teje, edhe qirinjtë, por qirinjtë nuk janë ndezur. Tek ky moment jemi. Do të ndizen qirinjtë dhe do të bëhet. Mendoj që shumë shpejt jemi në proces mbylljeje”, tha ai.
/a.r