Në Konferencën për Rolin e Parlamenteve në Procesin e Berlinit, ka qenë i pranishëm dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani. Ai u shpreh se Procesi i Berlinit kërkon transformim jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në çështje të brendshme.
“Realizimi i objektivave të Procesit të Berlinit kërkon një angazhim gjithëpërfshirës, jemi shpresëplotë që Samiti në Tiranë do të dalë me rezultate konkrete, si përshembull zona e lirë roaming dhe ulja e tarifave me BE”, tha Hasani.
Sipas ministrit, nëse arrihen këto rezultate atëherë përshpejtohet dhe rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se Parlamenti duhet të angazhohet në këtë proces duke i kthyer ‘rezultatet e procesit’ në legjislacion.
“Në mënyrë që këto procese të rëndësishme të kurorëzohen me sukses, kanë nevojë për përfshirjen e parlamentit. Kuvendi i Shqipërisë dhe parlamentet e vendeve të tjera të Procesit, duhet të kenë edhe një rol praktik. Ekzistojnë të gjithë mundësitë, për një përfshirje më të madhe të parlamentit në Procesin e Berlinit.”
Hasani theksoi se dhe bashkëpunimi parlamentar rajonal lidhet direkt me procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit.
“Parlamentet kanë të drejtën të bashkëpunojnë për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Kanë të drejtën dhe detyrimin për të bashkëpunuar për promovimin e dimensionit ekonomik.Duhet të bashkëpunojnë edhe për thellimin e dimensionit social.”
“Një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë e Kuvendit, do të përmirësojë arritjet e Procesit të Berlinit për vendin tonë”, përfundoi ministri.
/a.r