Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë më 16 tetor. Shefi i qeverisë do ta përdorë këtë mundësi për të adresuar sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës dhe akuzuar Serbinë se qëndron pas tij.
“Samiti në kuptimin e atyre që do të arrihen nuk ka çështje të sigurisë, por ajo do të jetë temë diskutimi në këtë samit ose më mirë të themi në çështjen e adresimit që do të bëjnë liderët e rajonit. Sigurisht që duhet fokus më i madh, mirëpo ne besojmë që kjo vjen krahas një ndryshimi të qasjes ndaj Serbisë. Natyrisht prezenca e shtuar e KFOR-it në kufij me Serbinë është e mirëseardhur pasi andej po vjen agresioni ndaj Kosovës dhe andej u përgatit sulmi terrorist ndaj Kosovës. Kurse Policia e Kosovës në mënyrë profesionale po kryen të gjitha detyrat për zbatimin e ligjit duhet të mbështetët dhe fuqizohet”, tha Jeton Zylfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.
Në këtë samit pritet që mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të firmoset marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinerët. Synohet edhe deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën. Por skepticizmi për rezultate konkrete nuk mungon.
“Sulmi terrorist në veri e ka cenuar në këtë fazë edhe Procesin e Berlinit, pasi janë të involvuar shumë palë. E kemi Shqipërinë që është e është përfshirë në mënyrë indirekte në diskutime mbi sulmin në veri me disa kërkesa për Serbinë. Po ashtu kemi Serbinë me një pozicion barikadues dhe Kosova që është pala më e dëmtuar nga ngjarja e fundit. Megjithatë mendoj se Procesi i Berlinit duhet të ketë një dinamikë më të shtuar muajve në vijim, porsa të definohet situata edhe më qartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kemi një shtim të dinamikës sa i përket zbatimit të marrëveshjeve dhe synimit për treg të përbashkët rajonal. Por nuk pres që në këtë samit të arrihet një dakordim i plotë që ky treg rajonal të bëhet funksional. Pasi kemi hyrë në një situatë të palakueshme dhe me shumë pikëpyetje”, tha Arbër Fetahu, grupi për studime juridike dhe politike.
Samiti i Procesit të Berlinit mbahet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Më 16 tetor në Tiranë do të jenë të pranishëm liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësit kryesore të BE-së si kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
/a.r