Termocentrali “Kosova A” nuk do të mbyllet në fund të vitit 2017. Zgjatja e jetës së këtij termocentralin për qeverinë është opsion i pashmangshëm, duke marrë parasysh vonesat që janë bërë në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të mund të hyjë në funksion në vitin 2022, nëse gjithçka shkon sipas planifikimit, shkruan “Koha Ditore”.
Në Qeverinë e Kosovës dhe në KEK ekziston ideja që “Kosova A” të mbetet në funksion edhe pas vitit 2023, kur në sistem do të inkuadrohen “Kosova e Re” dhe “Kosova B” e rivitalizuar.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se dekomisionimi i termocentralit “Kosova A” është i lidhur me komisionimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”. Në Forumin e nivelit të lartë për energjinë, ai ka thënë se do të bëhet një studim i fizibilitetit për këtë termocentral.