“Krimi i organizuar nuk kanos plumba, por me zarfe dhe reforma”. Kështu deklaroi në studionin e Debatit nga Alba Alishani, ish-prokurori Eugen Beci, një ditë pasi ministri i Brendshëm Taulant Balla garantoi mbrojtje për dy prokuroret e kërcënuara nga grupi kriminal i Laert Haxhiut. Sipas ish-prokurorit Beci kërcënime të tilla ka patur dhe do të ketë, por organet e drejtësisë duhet të ruhen nga kanosjet me zarfe që pengojnë punën e vërtetë të drejtësisë.
“Kërcënime të tilla, ka patur dhe do të ketë kur krimi i organizuar ka shtrirë tentakulat në çdo pjesë të shoqërisë sonë. Do ketë dhe fatura të tilla, por nuk duhet të harrojmë që kërcënime të tilla, ka patur dhe do të ketë. E rëndësishme është sa fuqi ka shteti të përballojë këto lloj kanosjesh. Nëse koordinohet puna me organet ligjzbatuese do ketë një përkujdesje të shtuar për organet e drejtësisë. Kjo kanosje vjen nga krimi i organizuar dhe krimi ordiner. E rëndësishme është që organet e drejtësisë të ruhen nga kanosjet me zarfe që pengojnë punën e vërtetë të drejtësisë. Krimi i organizuar ka evoluar dhe nuk kanos më siç kanos krimi i rrugës, krimi ordiner, apo një vrasës. Krimi i organizuar nuk kanos më me plumba, kanos me reforma me transferime me institucione që kërcënojnë punën e një strukture siç është SPAK”, tha Beci.
Kujtojmë se pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, se grupi kriminal i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore që kishin hetuar dosjet e grupit të 31-vjeçarit dhe një avokat, Taulant Balla garantoi se çdo prokurori dhe çdo gjyqtari i garantohet siguria. Ky vendim erdhi pas mbledhjes urgjente të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të Gardës, kreut të SPAK dhe Ministrit të Brendshëm ku diskutuan për sigurinë e njerëzve të drejtësisë.