Pak orë pasi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njoftoi nga Fieri se Shqipëria ka aktivizuar kërkesën për ndihmë drejtuar Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të Pishporos, e para që ka ardhur në ndihmë është Greqia.
Mbrëmjen e djeshme u njoftua se, fqinji ynë jugor ka vendosur në ndihmë të Agjencisë së Mbrojtjes Civile një avion Canadair për të luftuar flakët. Lajmin e dha vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në rrjetet sociale.
Ndërkohë, sot Ministria e Mbrojtjes njofton se avionët e ardhur posaçërisht nga Greqia, kanë nisur punën për shuarjen e flakëve në Darëzezë.
“Dy avionë Canadair CL-415 po punojnë për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit në Darëzezë. Presim që shumë shpejt, bashkë me punën nga terreni të 20 efektivëve të MZSH Fier, 40 forcave të FA dhe mjeteve të përfshira në këtë aksion, vatra të izolohet tërësisht!”
Postimi i ministrit Niko Peleshi në Facebook
Ndërhyrja nga ajri vjen në kushtet kur ministri Balla theksoi në intervistën e tij për mediat se ajo është e domosdoshme në zonën që digjet prej 6 ditësh, pasi forcat zjarrfikëse edhe pse të shumta në numër e kanë të pamundur fikjen e zjarrit nga toka.
Kujtojmë se Shqipëria ishte një ndër vendet që i shkoi në ndihmë Greqisë për shuarjen e zjarreve shkatërrimtare në Alexrandopuli në muajin gusht.
Më shumë se 60 trupa të shërbimeve zjarrfikëse të Maliqit, Korçës, Gjirokastrës dhe Dropullit, si dhe 10 mjete të forcave të armatosura dhe sistemit të mbrojtjes civile shqiptare zbarkuan në zonën e shkrumbuar nga flakët duke punuar përkrah zjarrfikësve grekë.
/a.r