Të paktën 10 emigrantë u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën sot kur një kamion me të cilin po udhëtonin u përmbys në një autostradë në shtetin jugor meksikan të Chiapas, në kufirin me Guatemalën.
Mediat e huaja shkruajnë se, viktimat ishin gra, duke përfshirë një të mitur, me origjinë kubane. Aksidenti ndodhi gjatë orëve të mëngjesit në seksionin e autostradës që lidh Pijijiapan me Tonala, në bregdetin e Paqësorit të shtetit Chiapas.
Ky është aksidenti i dytë i tillë që ka ndodhur në më pak se një javë. Dy emigrantë u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën të enjten kur kamioni që i transportonte u përmbys në të njëjtin shtet meksikan.
Mijëra emigrantë të kombësive të ndryshme kalojnë Meksikën me autobusë, kamionë dhe madje edhe trena mallrash në përpjekje për të arritur në SHBA. Patrulla Kufitare e SHBA regjistroi zyrtarisht 1.8 milionë kalime emigrantësh në kufirin jugor të SHBA-së midis tetorit 2022 dhe gushtit 2023.
/a.r