Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se Milan Radoiçiç ka qenë në mesin e serbëve që ndodheshin në manastirin e Banjskës në Zveçan në 24 shtator pas sulmit ndaj policisë së Kosovës.
Sipas medias serbe Danas, Vuçiç është shprehur gjatë një interviste në Radiotelevizionin serb se në mesin e serbëve të filmuar arriti të njihte nënkryetarin e Listës Serbe, Radoiçiç. Ai u shpreh se nuk kishte dijeni nëse ky i fundit ishte në drejtimin e grupit serb, ndërsa zbuloi edhe vendndodhjen e tij.
Presidenti serb tregoi se Radoiçiç ndodhej në Serbi dhe se ishte thirrur nga autoritetet e Beogradit për të dëshmuar në lidhje me atë që ndodhi në Banjskë gjatë fundjavës.
Ai shtoi se Radoiçiç nuk është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë e Kosovës, ndërsa tha se ishte besimplotë se ai do t’i përgjigjet thirrjes së autoriteteve serbe për të dëshmuar./m.j