Në kantierin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, gjatë punimeve të gërmimit kontraktori ka hasur disa municione luftarake.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se menjëherë është bërë izolimi i zonës, ndalimi i punës duke shmangur rrezikun e mundshëm dhe u bë lajmërimi pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas ARRSH-së, gjithashtu u vu në dijeni edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për të bërë të mundur largimin e tyre pa shkaktuar probleme në terren dhe për të lejuar vijim e punës.
ARRSH ka nisur këtë vit punimet për zgjerimin e rrugës në disa segmente dhe zhvendosjen nga zonat e populluara në disa segmente të tjera.
Ky aks do të transformohet tërësisht dhe do të shkurtojë distancat me rreth 20 km duke u kthyer në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8-të. Në pjesën më të vështirë atë të kthesave të Murrashit, parashikohet ndërtimi i një tuneli.
Rruga e cila pritet të përfundojë në vitin 2027 lidh zona me shumë rëndësi si portin e Durrësit me pikat kufitare të Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë etj./f.s