Martin Bardhi, 58 vjeç, humbi jetën ditën e sotme si pasojë e të shtënave me armë. Ai u qëllua pranë një lokali në qendër të Rrëshenit.
Kjo ngjarje ndodhi më 26 Mars dhe të përfshirë ishin edhe djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi dhe një 28-vjeçar tjetër me lidhje gjaku me familjen Bardhi.
Shkak për këtë ngjarje të rëndë u bë një sherr për vendin e parkimit mes Erind Bardhit dhe Saimir Reçit.
Erind Bardhi ka shkuar më pas në banesën e tij së bashku me të atin, viktimën e ditës së sotme, ku ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar mbi makinën e blinduar të Reçit në momentin që ai po largohej.
Reçi si pasojë e të shtënave humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, por nuk u lëndua.
Për këtë ngjarje, Erind Bardhi dhe kushëriri i tij 28-vjeçar u shpallën në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020.
Sa i përket ngjarjes së sotme, rrethanat e saj janë momentalisht të paqarta. Burime paraprake për Klan News bëjnë të ditur se një person ende i paidentifikuar, ka hapur zjarr në drejtim të Bardhit, duke e lënë të vdekur.
Policia ka njoftuar se ka ngritur disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit/ëve.
“Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia.
/a.r