Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano rreth sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, të dielën ka thënë se situata duhet të depërshkallëzohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme.
Stano, në një konferencë për media ka refuzuar të tregoj nëse Bashkimi Evropian do të vendos masa ndëshkuese edhe për Serbinë.
Ai është pyetur edhe për një takim të mundshëm të nivelit të lartë në Bruksel, duke thënë se palët “do të ftohen kur të jetë e përshtatshme”.
Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.
Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.
Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.
/f.s