Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi paralajmëroi sot se nëse opozita do të vijojë të mbrojë çështjen e Fredi Belerit, forca politike që ai drejton do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
I ftuar në “Kjo Javë” në News24, ai tha se PDIU nuk mban qëndrim pro Bashës apo pro Berishës, por shtoi se PD-ja duhet të unifikohet sa më parë brenda vetes.
A mund të ketë një afrim me Ramën? Keni votuar edhe ligje të qeverisë…
PDIU në konfliktin e brendshëm që ka PD-ja nuk mbajmë anë. Në betejën me Bashën apo Berishën dhe Gaz Bardhin, PDIU si një parti aleate e PD, e spektrit opozitar, ne nuk përfshihemi dhe nuk ndërhyjmë. Ata kanë detyrim që të bashkohen mes tyre për hir të demokratëve por edhe sepse vendi ka nevojë që të ketë opozitë. Një opozitë me 3 vjet probleme nuk i bën mirë vendit. PDIU nuk mund të përfshihet midis palëve.
Po drejt 2025 ju ku jeni?
Është larg 2025. PDIU nëse nuk merr pjesë midis palëve nuk ka ndryshuar pozicion. PDIU ka kauzën dhe specifikën e saj. Më është bërë pyetja “a do shkosh në këtë miting?”. Nëse një parti do ishte solidare me PDIU për çështjen çame, do të shkoja. Në 2017 kryetari i PD thotë “votat e PDIU hidhini në lumë”, ndërkohë që morën 6 ministra në qeveri. E njëjta situatë ishte edhe në 2021. Asnjëherë nuk mu tha në 2021 se pse LSI dhe PD nuk bënë marrëveshje, në momentin e fundit 1 muaj para zgjedhjeve prisnim që të kishte marrëveshje. Ne kuptonim që nga shifrat ishim fitues. Unë do shkoj të gjëmoj këta nga mbrapa? Kam edhe punë të tjera. Ne bashkëudhëtijmë, por unë nuk jam martuar me këta. Këta duhet të rregullojnë njëherë veten e tyre. Përsa i përket mbështetjes në Parlament, ne mbështesim edhe nismat e fundit për komisionet hetimore.
Ka një qejfthyerje?
Nga ana politike është normale që në momente të caktuara secili ka interes për kauzat e tij. E patë që u votua dje ligji për nënshtetësinë nga 97 deputetë? U bë shumë mirë. Marrim ligjin për gjykatën Kushtetuese, nuk mund të shtrohet pyetja a do ta votoni apo jo. Pyetja është, a keni një debat real brenda Parlamentit në mënyrë që të kuptojmë që 7 milionë lekë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese a janë shumë në raport me pagat dhe pensionet?
Me sytë drejt 2025, ju si PDIU çfarë kërkoni nga opozita?
Nuk ka ngelur t’ia kërkojmë ne se ia kërkon gjithë opinioni, ata duhet të gjejnë arsyen për tu bërë bashkë në PD. nganjëherë më duket e qëllimshme, diskutohet vazhdimisht Basha- Berisha- Bardhi, ndërkohë që receptorët duhet të jenë te mazhoranca. Ne e dimë që të fitosh zgjedhjet duhet të jesh alternativë. Duhen edhe ca figura të tjera që të ngjallin shpresë.
A është opozita alternativë?
Jo nuk është. Ju do thoni pse nuk u ftua PDIU në koalicion? Sepse u bë marrëveshje me Belerin dhe ja ku kemi peshqeshin e Belerit. Nëse kjo situatë do jetë prapë deri në 2025, do dalim më vete.
Një afrim drejt Ramës ka?
Ajo që di unë shumë mirë është që kjo mazhorancë nuk ka nevojë. Me mënyrën si po sillemi ne, kjo mazhorancë nuk do ketë nevojë./m.j