Në fletën e votimit është e pritshme që të gjesh emra kandidatësh të ndryshëm nga ata çfarë kanë përzgjedhur forcat politike, fyerje dhe vlerësime, por rrëfimi i një vrasje është krejtësisht i pazakontë.
Një fletë e tillë votimi është gjetur në Villasanta të Monzës, ku një 31-vjeçar ka rrëfyer një vrasje gjatë zgjedhjeve të fundit për Dhomën e Deputetëve më 25 shtator të vitit të kaluar.
Në fletën e votimit burri kishte shkruar: “Për policinë: Vrava një burrë dhe e varrosa në një kantier ndërtimi në zonën e veriut, ju lutemi bëjini një varrim të krishterë“.
Pas kësaj hetuesit e Brianzës punuan me gjurmët e gishtërinjve, duke identifikuar 31-vjeçarin që bëri rrëfimin në fletën e votimit.
Kur 31-vjeçari është thirrur për krahasim me shenjat e gishtave, ai ka rrëfyer se ka qenë ai që e ka shkruar atë fjali në fletën e votimit.
“Nuk mund të flija më natën që kur e pashë reportazhin në televizion”, tha ai duke treguar më tej se vrasja nuk ka ndodhur dhe se ai kishte shpikur gjithçka për të bërë bujë mediatike sepse ishte i zhgënjyer nga politikanët.
“E bëra në një moment inati, nuk kam vrarë asnjeri”, rrëfeu ai.
Por, në fakt, gjuetia për një trup që nuk ekzistonte i ka kushtuar autoriteteve mijëra euro nga paratë publike, ndaj 31-vjeçari është denoncuar nga policia për shpifje./m.j