Finalizohet me sukses Operacioni antidrogë i koduar “Stafeta”.
Arrestohet në flagrancë një shtetas.
Sekuestrohen 5 kilogram e 150 gram lëndë e dyshuar si Heroinë, 10 kilogram lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva, një automjet tip “Benz”, si dhe 6 aparate celularë.
Pas një pune intensive të kryer nga Specialistët Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u finalizua me sukses operacioni i koduar “Stafeta”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit :
Ervis Canka , 30 vjeç , banues në Përmet .
Arrestimi i tij u bë pasi :
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet tip Benz po transportonte lëndë narkotike, është ngritur një Pikë Kontrolli në aksin rrugor Tepelenë -Përmet në vendin e quajtur “Ura e Leklit”.
Në pikën e kontrollit është afruar mjeti tip “Benz” me targa AA 828 NC, me drejtim lëvizje Tepelenë – Përmet, ku drejtues mjeti ishte shtetasi Ervis Canka, i cili së bashku me automjetin e tij u shoqërua për në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër për një kontroll më të imtësishëm.
Nga kontrolli i automjetit rezultoi se në pjesën e pasme kishte në një hapësirë midis sediljes së pasme dhe bagazhit, brenda së cilës u konstatuan 10 pako me lëndë narkotike të dyshuar Heroinë të mbështjella me natriban me peshë totale 5 kg e 150 gr , si dhe 10 pako lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva të mbështjella me natriban me peshë totale 10 kg.
Brenda në automjet u konstatuan dhe u sekuestruan dhe 6 aparate celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.