Është zhvilluar sot gjyqi i 68-vjeçarit që vrau 39-vjeçarin shqiptar pasditen e djeshme, pas një debati jashtë një parkingu të hapur, në rrugën Praxitelous, në qendër të Pireut.
“Kemi pasur vite fërkime. Makinat i vendosin nga parkingu edhe në trotuar. Ata po bllokonin rrugët. E kisha shprehur indinjatën time shumë herë. Nuk doja që të përfundonte kështu”, ka thënë ai.
Sipas raportimeve, pas tragjedisë, sulmuesi bërtiste “mbarova me ty, mbarova me ty”, gjë që tregon se sa i vendosur ishte ai për të kryer krimin. Më herët kishte pasur një përplasje verbale mes 68-vjeçarit dhe 39-vjeçarit, sipas fqinjëve. I moshuari shkaktonte shpesh herë probleme në lagje. Pas vrasjes, autori u fut për pak në shtëpinë e tij dhe më pas doli dhe u dorëzua. Para policisë, 68-vjeçari dyshohet se ka pohuar se nuk donte që historia të përfundonte kështu, duke shtuar se kishte konflikte të vazhdueshme me 39-vjeçarin për vende parkimi.
Tragjedia ka ndodhur në pak sekonda para syve të dhjetëra qytetarëve. I moshuari ka zbritur nga shtëpia e tij dhe siç u pa në videon e publikuar nga media greke protothema.gr, ai e ka qëlluar dy herë me pushkë 39-vjeçari duke e lënë të vdekur. Sipas një gruaje që ndodhej pranë skenës së krimit, sulmuesi nuk kishte as makinë dhe në fakt shfaqte sjellje obsesive dhe kishte një neveri të madhe ndaj parkingjeve.
“Ata patën një debat. U ngjit në shtëpinë e tij, mori pushkën. Kur u largua tha “tani mbarova me ty” dhe më pas filloi të pinte. Priti me këmishën hapur që ta arrestonin. Ai ishte një njeri i çuditshëm. Dy vjet më parë ai pati një aksident me makinë. Ai nuk kishte makinë, por nuk i pëlqenin parkingjet, i konsideronte të paligjshme”, ka theksuar gruaja./f.s