23 vjet më parë u vra Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. I dënuari me 25 vite burg për vrasjen e tij vazhdon të kërkojë lirinë. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e Genc Tafilit. Ai “trokiti” në Kushtetuese në prill të këtij viti dhe kërkoi shfuqizimin e vendimeve të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e rikthyen atë në qeli, pas 4 vitesh qëndrimi në liri.
Ishin këto dy gjykata që ndryshuan vendimin e dhënë në vitin 2017 nga Gjykata e Krujës, që liroi Tafilajn 3 vjet e 3 muaj e 18 ditë, para përfundimit të dënimit me çerekshekulli burg.
I dënuari për vrasjen e drejtuesit të lartë të policisë i konsideroi antikushtetuese dy vendimet e Apelit dhe Gjykatës së Lartë, me pretendimin se në shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim të parakohshëm, këto gjykata duhet të zbatonin ligjin e kohës kur kishte kryer krimin dhe jo ligjin aktual.
Kërkesa e tij nuk u mor parasysh nga Kushtetuesja. “…neni 64 i KP-së që ka qenë në fuqi në momentin e dënimit të kërkuesit (vitin 2001), nuk mund të gjejë zbatim në momentin e aplikimit të kërkuesit për lirim me kusht (në vitin 2017). Në këto rrethana, Kolegji çmon se gjen zbatim dispozita e ligjit penal që është në fuqi në momentin e paraqitjes së kërkesës për lirimin me kusht nga i dënuari, pasi plotësimi i kërkesave të ligjit do të verifikohet në këtë moment”.
Nga arsyetimi i Kushtetueses, në vendimin për moskalim të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe pretendimet e Tafilajt për cenim të standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor.
Pas vendimeve që detyronin rikthim në qeli Tafilaj u arrestua në Gjermani në janar 2022 dhe u ekstradua në Shqipëri 5 muaj më vonë./a2/m.j