Statuti i ri i Partisë Socialiste ka përcaktuar rregulla të reja për rikandidimin e deputetëve aktualë. Për të hyrë në një garë të re elektorale, deputeti aktual duhet të kalojë dy filtra të rëndësishëm brenda partisë e më pas t’i bashkohet listës që propozon kryetari i partisë dhe që diskutohet në kryesinë e saj.
Filtri i parë do të jetë analiza e performancës që do t’i bëhet atij nga kryesia e Grupit Parlamentar dhe Sekretariati Ekzekutiv për mandatin që ka në vijim.
“Kryesia e Grupit Parlamentar Socialist, në bashkëpunim me Sekretariatin Ekzekutiv, në mbyllje të legjislaturës në rastet kur deputetët përfshihen në listën e rikandidimit, hartojnë një vlerësim individual me performancën e deputetit gjatë mandatit lidhur me marrëdhëniet e mbajtura me zonën përkatëse elektorale, përfaqësimin në komisione, në mbledhje grupi dhe në seancë plenare, iniciativat ligjore të ndërmarra, paraqitjen publike dhe kritere të tjera të përcaktuara nga rregullorja e Grupit Parlamentar Socialist”, thuhet në pikën 3 të nenit 61 të projektstatutit të ri.
Por, pasi kanë kaluar filtrin e parë, deputetët aktualë të Partisë Socialiste do të kalojnë edhe një test tjetër, atë të gjykimit popullor. Ata do të duhet të përballen me anëtarësinë e partisë në zonën e tyre që kanë mbuluar gjatë mandatit të deputetit dhe nëse mund të konfirmohen prej saj, ata do të vazhdojnë të jenë kandidatë për një mandat tjetër si deputetë.
“Deputetët mund të rizgjidhen si kandidatë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare vetëm nëse marrin mbështetjen e anëtarëve të partisë të territorit/komuniteteve, ku kanë ushtruar mandatin. Për këtë qëllim, në territorin/ komunitetet respektive zhvillohet një proces konsultimi për konfirmimin ose jo të mbështetjes për deputetin. Nëse konfirmohet, deputetit i lind e drejta për t’iu nënshtruar procedurave të mëtejshme për t’u përfshirë në listën e kandidatëve”, thuhet në pikën 4 të nenit 61 të projektstatutit të ri të PS-së.
E njëjta procedurë filtrimi dhe analize të performancës do të bëhet edhe për ata kryetarë aktualë bashkish që kërkojnë të rikandidojnë për një mandat tjetër. Do të jetë kryesia e PS-së, e cila do të miratojë listën e kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkish dhe madje i mbetet asaj në dorë që ta eliminojë kandidatin, i cili mund të ketë kaluar me sukses dy fazat e para të matjes së performancës së tij.
“Kryesia e partisë rezervon të drejtën që kandidatët e përzgjedhur, për të cilët konstatohet mosplotësimi i kritereve dhe standardeve ligjore, morale dhe politike, t’i heqë nga lista e të zgjedhurve për të kandiduar.
Lista e kandidatëve për deputetë konsiderohet përfundimtare dhe bëhet publike vetëm pasi shqyrtohet e miratohet nga kryesia e partisë”, thuhet në pikën 5 të nenit 61 të projektstatutit të ri.
Nga A. Lumezi / Panorama