Kombëtarja shqiptare e futbollit dhe stafi kuqezi kanë mbërritur këtë të mërkurë në Pragë, aty ku nesër në 20:45 do zhvillohet ndeshja kundër Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024. Të nisur mëngjesin e sotëm nga “Nënë Tereza”, kuqezinjtë kanë fluturuar me “Migjenin” dhe duken gati për përballjen e radhës.
Trajnerin Sylvinho e shqetëson gjendja e Qazim Laçit, që duket se do jetë mungesë e madhe për tanët në mesin e fushës, kjo për shkak të gjendjes gripale që po kalon “luftëtari”.
Lojtari ka qëndruar në Shqipëri dhe stafi teknik shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjen e dytë ndaj Polonisë, që luhet më 10 shtator. Pjesa tjetër e grupit është e plotë dhe të gjithë gëzojnë formë të mirë.
Në aeroport delegacioni kuqezi u prit edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Çeke, Sh.T.Z. Ilirian Kuka, i cili u takua me ekipin e stafin teknik dhe u uroi suksese në këtë ndeshje të rëndësishme për objektivat e kuqezinjve në kualiifikueset e Europianit 2024.
Kombëtarja do të zhvillojë seancë zyrtare stërvitore në ora 18:0o në stadiumin e ndeshjes, ndërkohë që po sot trajneri Sylvinho do të jetë në konferencën zyrtare për shtyp në stadiumin e ndeshjes.
Pas ndeshjes me Çekinë, tanët i pret përballja e radhës po për grupin E të Euro 2024 kundër Polonisë, të diel në “Air Albania” në orën 20:45, me stadiumin në Tiranë që do jetë i mbushur në kapacitetin maksimal.
Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.
Formacioni i mundshëm kundër Çekisë:
Shqipëria (4-3-3): Berisha; Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj; Bare, Ramadani, Bajrami (Gjasula); Asani, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho/m.j