Vladimir Putini erdhi në pushtet në fillim të vitit 2000. Që nga atëherë shumë kritikë apo kundërshtarë të tij janë vrarë. Disa të tjerë janë helmuar, por kanë mbijetuar. Vdekjet e dyshimta janë shtuar pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës më 2022. Një listë jo e plotë.
Nga Enver Robelli
Tani lajmi është zyrtar: përfundimisht Jevgeni Prigoshin ka vdekur, këtë e ka treguar analiza e ADN-së së tij, bëjnë të ditur autoritetet ruse. Si vdiq Prigoshini, kjo ndoshta do të mbetet mister, si shumëçka tjetër në perandorinë e Vlladimir Putinit. Kryemercenari Prigoshin, i cili para 2 muajsh u nisë me trupat e tij drejt Moskës, duket se është më i fundit në listën e të vrarëve nga Kremlini. Në vijim një listë e figurave prominente të vrarë apo helmuar në dhe jashtë Rusisë gjatë sundimit të Putinit.
Igor Domnikov vdiq më 16 korrik 2000. Ai u godit me çekan në hyrje të banesës së tij në Moskë. Domnikov ishte gazetar i të përditshmes kritike “Novaja Gazeta”.
Iskander Hatloni u vra më 21 shtator 2000. Gazetar i Radio Free Europe, seksioni i Taxhikistanit. Hulumtonte mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni. U vra në banesën e tij me sëpatë.
Juri Shçehoçiçin vdiq më 3 korrik 2003 pasi me ditë të tëra u ankua se nuk ndihej mirë pas një helmimi misterioz. Autoritetet nuk lejuan autopsinë e tij. Familjarët e tij arritën të dërgojnë për ekzaminim në Londër disa mostra të lëkurës së viktimës. Atje u konstatua se Shçehoçiçin ishte helmuar nga taliumi, një helm që përdorej edhe nga KGB-ja. Shçehoçiçin ishte deputet dhe gazetar i “Novaja Gazeta”.
Paul Klebnikov u vra më 9 korrik 2004. Klebnikov, i lindur në SHBA dhe kryeredaktor i edicionit rus të magazinës “Forbes” u qëllua me armë para redaksisë në Moskë. Në një libër Klebnikov përshkroi fuqinë e oligrakëve në Kremlin.
Ana Politkovskaja u vra me pesë plumba më 7 tetor 2006 – në ditën kur Putini kremton ditëlindjen e tij. Politkovskaja ishte aktiviste e të drejtave të njeriut, kritike e Kremlinit dhe publiciste e njohur.
Aleksander Litvinenvko vdiq më 23 nëntor 2006. Ky ish-agjent i KGB-së dhe kritik i Putinit u helmua me një metal radioaktiv në një hotel në Londër. Nga shtrati i vdekjes ai akuzoi Putinin për vrasjen e tij. Drejtësia britanike ngriti aktakuzë kundër dy agjentëve rusë, të cilët Moska nuk i ekstradoi.
Stanisllav Markelov u vra më 19 janar 2009. Markelov ishte avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Bashkë me të në qendër të Moskës u vra gazetarja e re e “Novaja Gazeta” Anastasia Baburova.
Natalia Estemirova vdiq më 15 korrik 2009. Trupi i saj u gjet në një mal në republike ruse të Ingushetisë. Ajo ishte gazetare, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe mësuese e historisë. Hulumtonte mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.
Sergei Magnicki vdiq më 16 nëntor 2009. Ajo ishte avokat dhe auditor që po hetonte pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve rusë. Vdiq në paraburgim, me gjasë pas troturave nga ana e gardianëve të burgut. Autoritetet nuk lejuan obduksionin e kufomës së tij.
Boris Berezovski u gjet u vdekur më 23 mars 2013. Ai jetonte në Londër nga viti 2000. Nga përkrahës i Putinit ishte shndërruar në kundërshtar të tij. Berezovski u ngufat nga persona të panjohur.
Boris Nemcov u vra më 27 shkurt 2015. Atentatori shkrepi 4 plumba ndaj tij. Nemcov, politikan liberal, ishte kritik i ashpër i regjimit të Putinit. Në qeverinë e Boris Jelcinit Nemcov ishte zëvendëskryeministër. Më 2014 ai i dha një intervistë televizionit gjerman ARD dhe e quajti Rusinë shtet mafioz me Putinin në krye. Në ditën e vrasjes së tij Nemcov paralajmëroi zbulimin e disa fakteve mbi luftën në Ukrainën lindore.
Të helmuar: Opozitari rus Aleksei Navalni, i cili gjendet në burg. Sergei Skripal, i helmuar në Britaninë e Madhe. Vlladimir Kara-Mursa, i helmuar, gjendet në burg në Rusi.
Rastësi fatale
Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës janë shtuar rastet e vdekjeve të dyshimta, shpesh autoritetet thonë se bëhej fjalë për vetëvrasje apo për “rrëzime” nga dritarja. Viktimat janë kryesisht biznesmenë dhe politikanë. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” ka botuar së fundi një listë të vdekjeve të dyshimta.
Ravil Maganov, shef i firmës Lukoil, u dërgua në spital për shkak të problemeve me zemër dhe depresionit. Në spital, sipas mediave ruse, ai u “rrëzua nga dritarja”. Ndërmarrja e tij bëri me dije se ai vdiq nga një “sëmundje e rëndë”.
Leonid Shulman, drejtor i transportit në Gazprom, bëri vetëvrasje, sipas portalit “RBK”.
Aleksander Tjulakov, njëri nga drejtorët në selinë e Gazpromit, bëri vetëvrasje, sipas “Novaja Gazeta”.
Vasili Melnikov, drejtor i firmës Medstorm, e cila prodhon produkte mjekësore, u gjet i vdekur pranë kufomës së gruas dhe dy djemve të tyre. Kufomat u gjetën në banesën e tij.
Vlladislav Avajev, ish-zëvendësdrejtor i Gazpromit, u gjet i vdekur pranë kufomës së gruas dhe vajzës së tij, njoftoi “Gazeta.ru”.
Sergej Protosenja, ish-zëvendësdrejtor i Novatek, prodhuesi më i madh i gazit në Rusi pas Gazpromit, u gjet u varur në shtëpinë e tij në Spanjë. Kufomat e vajzës dhe gruas së tij u gjetën në banesën e njëjtë, në trupat e tyre vëreheshin shenja të dhunës me mjete të mprehta dhe me sëpatë.
Andrej Krukovski, drejtor i përgjithshëm i resorit të sporteve dimërore në Krasnaja Polana, thuhet se rrëshqiti nga një shkëmb në Soçi, njoftonte agjencia e lajmeve TASS.
Juri Voronov, drejtor i Astra Shipping, një ndërmarrje e Gazpromit, u gjet me një plagë plumbi në kokë pranë pishinës së rezidencës së tij. Pranë kufomës u gjet një revol, shkroi portali rus “Life”.
Danil Rapoport, biznesmen, i cili disa herë kishte kritikuar Vlladimir Putinin, supozohet se bëri vetëvrasje sipas mediumit “Splentik” pasi kërceu nga një ndërtesë në Washington.
Ivan Peçorin, drejtor i transportit ajror i shoqatës për zhvillim të Lindjes së Largët të Rusisë, u gjet i vdekur në një plazh në lindje të Rusisë. Thuhet se ishte rrëzuar nga varka e tij, njoftonte “Gaseta.ru”.
Pavel Pçelnikov, drejtor i Digital Logistics, një ndërmarrje e hekurudhave shtetërore ruse, thuhet se vrau veten në ballkonin e banesë së tij.
Aleksander Buzakov, drejtor i ndërmarrjes së transportit me anije Admiral, vdiq në rrethana të panjohura.
Dmitri Pavoçka, ish-menaxher i firmave si Lukoil, i autoritetit të aeronautikës Roskosmos, i ndërmarrjes së armatimit Suhoi, u dogj i gjallë, sipas portalit “Fontanka”. Thuhet se e kishte zënë gjumi me cigare të ndezur.
Pjotër Kuherenko, sekretar shteti dhe zëvendësministër i shkencës dhe shkollimit të lartë, vdiq – pasi u sëmur gjatë fluturimit nga Kuba në Rusi.
Anton Çerepenikov, miliarder dhe pronar i ndërmarrjes teknologjike Citadel, u gjet i vdekur në zyrën e tij, sipas TASS.