Gjykatësja federale e çështjes kundër ish-presidentit Donald Trump në Uashington vendosi 4 marsin e vitit të ardhshëm si datën e fillimit të gjyqit ndaj tij lidhur me akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Kjo do të thotë se gjyqi do të zhvillohet ne mesin e fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa zoti Trump kryeson mes kandidatëve republikanë.
Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine sjell hollësi mbi atë që pritet të jetë një gjyq historik.
Avokatët e ish presidentit Donald Trump u rikthyen të hënën në Uashington, për të marrë pjesë në një seancë paraprake, në të cilën u përcaktua 4 marsi i vitit të ardhshëm si data kur do të nisë gjyqi lidhur me dyshimet se ai u përpoq të pengonte transferimin paqësor të pushtetit në 6 janar të vitit 2020, në Kapitol.
Avokatët e zotit Trump nuk pranuan të komentonin për Zërin e Amerikës, por u shprehën të zhgënjyer nga gjykatësja e çështjes Tanya Chutkan. Ata kishin propozuar që gjyqi të shtyhej deri në prill të 2026, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të vitit 2024. Prokurorët kishin kërkuar që gjyqi të niste më 2 janar të vitit tjetër, ndërsa juria të zgjidhej këtë dhjetor.
Eksperti Allan Lichtman i tha Zërit të Amerikës se ai beson se gjykatësja, Tanya Chutkan është një gjykatëse e fortë, që mori një vendim të zgjuar.
“Ajo renditi një sërë argumentesh të mira, që opinioni publik duhet të dijë, para zgjedhjeve nëse zoti Trump është apo jo fajtor mbi këto akuza vërtet serioze”, thotë Allan Lichtman, historian mbi presidentët dhe profesor në Universitetin Amerikan.
Një juri e madhe në Uashtington votoi për të ngritur aktpadi ndaj zotit Trump, përfshirë akuzat për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe komplot për pengimin e drejtësisë. Zoti Trump është shprehur se është pafajshëm për këto akuza dhe ka pretenduar në mënyrë të vazhdueshme, pa dhënë prova, se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.
“Si mund të më çojë në gjyq kundërshtari im i korruptuar politik, Joe Biden, gjatë një fushate zgjedhore që unë po e kryesoj, duke më detyruar të shpenzoj kohë dhe para, për t’i bërë ballë akuzave të rreme”, është shprehur zoti Trump.
Zoti Trump ka deklaruar se akpatditë e ngritura ndaj tij kanë patur vetëm një ndikim, forcimin e mbështetjes në mesin e votuesve të tij. Por një nga kundërshtarët e tij në garën për të fituar emërimin e republikanëve, ish guvernatori i Arkansasit Asa Hutchinson, nuk bie dakord dhe thotë se nuk ka asnjë mundësi që zoti Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale.
“Votuesit republikanë duhet ta kuptojnë se nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet me Donald Trumpin. Prandaj e kam shtruar këtë çështje në mënyrë të drejpërdrejtë”, është shprehur zoti Hutchinson.
Shumë nga ngjarjet e 6 janarit të vitit 2020 patën mundësi t’i shohin të gjithë, thotë eksperti Licthman, duke e ekspozuar zotin Trump ndaj mundësisë që të dënohet përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
“Po sikur zoti Trump të burgoset, që nuk përjashtohet si mundësi. Teknikisht, ai mund të vazhdojë garën për president, por a do donin republikanët që kandidati i tyre të jetë një person që është dënuar për komplot kundër demokracisë sonë?, thotë eksperti Licthman.
Zoti Trump është ish presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale. Ai po përballet me akuza edhe në tre çështje të tjera në Nju Jork, Xhorxhia dhe Florida./m.j