Nga Kristo Mërtiri
Mbi 45 vite më parë, si student i Degës së Gazetarisë, po bëja praktikën mësimore në redaksinë e “Zërit të popullit”, pranë penave të shquara e të respektuara në media e në opinionin e gjerë publik. Fundjava ishte nga më mbresëlënëset, ku thyhej disi monotonia dhe qetësia e rreme rinore. Jo vetëm nga mjedisi i gazetarëve profesionistë, që ziente kurdoherë si koshere bletësh moderne. Mua më ra fati i mirë atje, gjatë gjithë kohës së studimeve të larta. Gjithsej, kisha botuar vetëm një shkrim kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Dhe ku ? Në faqen 3, në atë të Kulturës. Sikur thjesht emri si autor apo cilësimi nën të “Ushtar”, nuk ishte gjë e vogël për kohën. Aq më tepër që më trajtonin e silleshin ngrohtë, si të isha koleg, vëlla a shok i tyre.
Jo më kot e bëra këtë hyrje shkrimi. Një ditë prej ditësh, do më nisnin me shërbim në Berat, të përgatisja një reportazh nga krahina e Shpiragut. Besim dhe përgjegjësi e madhe. Atëhere takova për herë të parë, të ndierin Astrit Nuri, korrespondentin interesant të zonës, që më foli jo pak për ato fshatrat që i ngjiteshin malit përpjetë gjer në Sinjë. Shpesh dukeshin sikur donin të kapnin retë.
Ndalova edhe në Mbrezhdan, fshati ku dikur qe internuar ajka e Rinisë dhe balli i Dëshmorëve, Heroi i dashur, Qemal Stafa. Kontaktet e mia ishin kryesisht nga librat e filmat. Vështroja plot kërshëri, dëgjoja, por edhe meditoja natyrshëm. Po gjatë gurgullimës së 12 përrenjve paralelë që zbrisnin të egërsuar mbi shpinën e malit gati 1200 metra lartësi. E quajnë edhe “mali me vija” ose “misterioz”. Barazlargim i cuditshëm rrungajash. Gati i zhveshur.
Mbaj mend kur më zuri nata në Sinjë, më bëhej sikur dëgjoja sokëllimat e trimit jo dosido, Rrapo Hekali, në krye të kryengritjeve fshatare antiosmane; në Luftën e Vlorës; në lëvizjen demokratike 1921-24 etj. Po si mund të harrohen Kuvendet e famshme të Sinjës deri 3 muaj para Shpalljes së Pavarësisë! Ishte fole e sigurt e Cetave patriotike të Shqipërisë së Jugut. Madje nga ky fshat me emër të ndritur në histori, është përgatitur një Memorandum dhe iu dërgua drejtpërdrejt Sulltanit dhe Fuqive të Mëdha të kohës ! Kërkesa me karakter e frymë kombëtare që dilnin nga zemrat e atdhetarëve shqiptarë të kulluar Atje hodhi shtat edhe një nga Cetat e para partizane. Historia ka gjëmuar e gjëmon gjer në ditët tona…
Nëpër brinjët e atij mali “misterioz”, u vendosën si rrallë në botë edhe 5 shkronja të mëdha kapitale : ENVER. Me punë vullnetare. Me gurë të bardhë të zbuluar në shkëmbinj. Mbijetuan mbi 3 dekada, në monizëm e në pluralizëm. Përballë qytetit të Beratit e më tej. …Mirëpo, zhurma e djeshme është harruar e mënjanuar nga “Nafta e Shpiragut” që nesër do shpëtojë ekonominë e vendit. E, vecanërisht pensionistët e këputur që me zor shtyjnë muajin me ilace e ushqime ! Sa herë flet Edi Rama se investimi do arrijë 7 miliardë euro, i vërvitet menjëherë Berisha dhe opozitarë të tjerë të përgjëruar për fatet e njerëzisë. Kacafytje politike. Në këtë vapë të madhe, specialistët profesionistë po mërzejnë nëpër hije sehirmbajtëse. Edhe të huajt nuk po bëzajnë hic. Hidh e prit, mazhorancë e opozitë..
Një lëmsh llafollogjie a “Pazar Roskoveci” ku nuk po e njeh qeni të zonë,-shprehen njerëzit e thjeshtë dhe buzëqeshin me mosbesim të dukshëm. Disa edhe shajnë, majtas e djathtas. Një gurgule politike e mediatike e pashoqe. Njerëzia të duket e shushatur dhe mjaft e velur nga habere të tilla liderësh, të cilëve u rreh mendja te votat. Kjo zhurmnajë e kakofoni e neveritshme nuk mund të shuhet me një helicopter zjarrfikës dhe as me fjalime patetike nëpër fusha betejash elektorale. Nëse del nafta më e mirë se në Arabinë Saudite, vetëm atëhere do të përmbyten. Sepse “nuk ka rëndësi se sa kushton një gjë. Rëndësi ka sa e madhe është llogaria”. Ose “për të pastruar një gjë, duhet bërë pis një gjë tjetër”!
Të mencurit e mocëm ngulnin këmbë dhe theksonin shpesh se kush nuk dyshon për asgjë, mund të jetë i zoti të bëjë cdo gjë. Hedh dikush një gur në pusin e filan-fistekut dhe 100 andromalë hedhin në sup dyfekun !
Nuk besoj të jetë lakuar aq shumë emri i atij mali të cuditshëm, nga metropoli. A kanë shkelur ndonjëherë nga Mbrezhdani në Sinjë ? Ore, ku i gjeti banorët pluralizmi dhe ku i katandisët sot ? Plagë të mëdha kombëtare që vështirë të shërohen. Rroftë e qoftë Nafta-flori që po bëhet gati të shpërthejë si vullkan mbi fjalimet e nxehta të politikanëve që nuk e njohin hic atë mal e atë krahinë nga më pasaniket në histori e atdhetarizëm. Naftë, moj naftë, po i lutemi Zotit të mos të të bëjnë naftën ?!
Sikur të ishte gjallë Dania nga Paftali ose ajo nëna legjendë e ish drejtorit të shkollës 8 vjecare në Sinjë, do kisha bërë ndoshta intervistat e fundit të jetës sime që nga koha kur vajta si student i Gazetarisë. Dania iku për një mur shtëpie në atë botë. Ia kishin vënë synë që nga qyteti i Beratit si “ndërtim pa leje”. Tragjedi e paharruar. Arroganca e fodullëku i policëve të dërguar me urdhër rrethimin e shtëpisë në mal, kapardisur me kallashnikovë e granata, e tërboi Danen, e tjetërsoi rrufeshëm. Nga hatullat e murit të lashtë nxorri një pushkë dhe qëlloi. Vrau dhe…e vranë ! Kryetari i këshillit popullor që më shoqëroi, befas më tregoi njërin cep të xhaketës të shpuar. “ Ka kaluar plumbi i asaj dite të zezë me krisma e plumba. Shpëtova në fije të perit…Ndërsa ajo nëna e rrallë ortodokse në Sinjë, me siguri sot do të ngrinte bejte të bukura për naftën që mund të përmbytë Shpiragun, Shqipërinë dhe ndoshta vetë tregjet evropiane. Atëhere nuk kishte diktofonë e salltanete, që të regjistroja qindra vargje popullore nga goja e saj flori. Ah, sikur të takoja edhe një herë birin e saj mësues !…
Duke mbaruar këto shënime, mësova lajmin e hidhur se flakët e zjarreve pushtuan edhe malin e bekuar të Shpiragut ! Paskan shkuar edhe 50 ushtarë dhe helikopteri Cougar. C’u bënë qindra vullnetarët e dikurshëm nga fshati e qyteti ? Apo vullnetarizmi ishte “komunist”, ka vdekur me kohë e me vakt. Rroftë kapitalizmi shqiptar ! Le të digjen e shkrumbohen pyje e kullota, secili ngujohet brenda pragut të shtëpisë së vet. Kycin gojën specialistët. Heshtin bosët e kompanive të huaja investitore. Flet Edi. Përgjigjet Saliu. Flet Tabaku. Përgjigjet Balluku…Një katrahurë informative, reklamuese e irrituese. Thoshte mirë i dituri : Optimisti dhe pesimisti diskutojnë për atë që nuk ekziston. Kjo i bashkon të dy !…
Ramadan Tahiri (ose Dane siç i thotë artikullshkronjësi ), në datën 2 Mars 1975, ka vrarë Dy policë, (dëshmorë të atdheut) që shkuan të kryenin detyrën, për të zbatuar një Vendim të Gjykatës, e jo sikunder zhgarravit birbua pordhogazetar.
Është turp, të përdhosësh të vrarët e sidomos policët në krye të detyrës.
Të kesh turp o i turpëruar.