Nga Fatos Tarifa
“Përfundimisht është i madh. Shih se ç’i ka punuar një gazetari grek”. Me këto fjalë e shoqëronte mbrëmë një video në TikTok të kryeministrtit Edi Rama një i njohuri im, të cilin nuk e dija të ishte kaq i enamoruar me Ramën.
Fjalët e tij më bënë kureshtar ta shihja e ta dëgjoja atë regjistrim por, ndryshe nga ai—dhe ndryshe nga të gjithë ata, mes tyre edhe gazetarë—që e konsiderojnë këtë mënyrë komunikimi të kryeministrit Rama një risi, mbeta tërësisht i zhgënjyer. Si edhe herë të tjera më parë me kryeministrin “socialist” të vendit tim.
Ajo video 8-9 minuta e gjatë përmbante një komunikim me tekst, me zë dhe me figurë të kryeministrit Rama me një gazetar thuajse obscure (Pavlos Papadopulos) të së përditshmes greke Kathimerini. Gazetari në fjalë ka botuar më 22 gusht një artikull titulluar “Let him be sworn in” (Lëreni të betohet), në të cilin kritikon qeverinë shqiptare dhe kryeministrin e saj për qëndrimin ndaj Fredi Belerit, kandidatit fitues në zgjedhjet e fundit vendore në Himanë, i akuzuar për blerje votash dhe aktualisht në burg.
Kryeministri, përmes një komunikimi krejt të pazakontë me këtë gazetar të panjohur për të, siç pohon ai vetë në monologun e tij në TikTok, vendosi të lidhej e të komunikonte me të duke i a shpjeguar veprimin e tij gazetarit grek me faktin se ai, pra Rama, është një “unusual person in office” (thënë anglisht nga vetë z. Rama).
Përmbajtja e komunikimit mes kryeministrit shqiptar dhe gazetarit grek nuk ka asnjë rëndësi; e rëndësishme është mënyra e komunikimit mes tyre, platforma sociale e zgjedhur për atë komunikim dhe postimi i këtij shkëmbimi të gjatë me shpjegimet në formë monologu të vetë kryeministrit Rama në TikTok.
Unë mendoj se, në atë komunikim me kryeministrin e Shqipërisë, gazetari grek, (edhe pse nuk pajtohem me përmbatjen e artikullit të tij), është treguar profesionalisht më dinjitoz e më korrekt sesa kryeministri ynë.
Kërkesës së z. Rama për një intervistë mbi të njëjtën çështje me gazetarin Papadopulos ky i fundit iu përgjigj duke sugjeruar se një “kontakt formal me zyrën e kryeministrit” [Rama] do të ishte i dobishëm, ashtu siç ishte e nevojshme për atë vetë të informonte botuesin e gazetës dhe të merrte miratimin e tij.
Narcisizmi—dhe ekzibicionizmi si komponenti kryesor i tij—janë një tipar i njohur i personalitetit politik të kryeministrit Rama, një tipar që është bërë më i spikatur me kalimin e viteve në krye të qeverisë. Ai jeton prej kohësh në narcisferë. Narcisizmi i tij është shfaqur e shfaqet në shumë forma e mënyra “origjinale”.
Reagimi ndaj artikullit të gazetarit grek është një prej tyre. Vërtet një reagim i pazakontë i një kryeministri “të pazakontë” në detyrë, por një reagim që, sipas meje, është nën dinjitetin e një kryeministri.
Një kryeministër nuk mund të merret me një gazetar të zakonshëm. Pavlos Papadopulos nuk është Bob Woodward, as Charlie Rose apo Anderson Cooper, as Tom Brokaw apo Christiane Amanpour, as Christopher Hitchens apo Nicholas Kristof, as Thomas Friedman apo David Brooks, emri dhe autoriteti i padiskutueshëm i të cilëve në botën e medias së shkuar apo asaj audio-vizuale do të meritonin vëmendjen e një kryeministri shqiptar. Papadopulos është thjesht një gazetar grek.
Do të kishte qenë e udhës—dhe politikisht e dimplomatikisht dinijitoze, siç e kërkon pozicioni i kryeministrit të një vendi—që zyra e zotit Rama të kishte kërkuar me shkrim shpjegime nga botuesi i gazetës Kathimirini për përmbajtjen e atij artikulli. Një shkrim i një gazetari të huaj pak ose aspak të njohur nuk meriton vëmendjen e kryeministrit të një vendi dhe, aq më pak, angazhimin e tij personal për të sqaruar një çështje, të cilën u takon ta sqarojnë njerëzit që punojnë për të.
Po këto ditë, gazeta austriake Der Standard botoi një artikull edhe më kritik për qeverisjen aktuale në Shqipëri, por unë uroj që z. Rama të mos merret edhe me të. Ai nuk mund të merret me të gjithë ata gazetarë (shqiptarë ose të huaj) që e kritikojnë. Nuk është kjo detyra e tij. Duke u marrë me ta, kryeministri zvogëlohet, nuk lartësohet në funksionin që ka, sado “unusual” të jetë—ose të mendojë ai vetë se është—si kryeministër.
Përfytyroni për një çast sikur kryeministri grek Mitsotakis të merrej—ai vetë, personalisht—me një gazetar shqiptar që e ka kritikuar për ndërhyrjet arrogante dhe kërcënimet e qeverisë së tij ndaj Shqipërisë për “çështjen Beleri”.
Nuk e përfytyroni dot. Nuk do e bënte. Sepse ai nuk është një “unusual person in office” si kryeministri ynë. Unë besoj se asnjë kryeministër europian nuk do vepronte si kryeministri ynë, nuk do merrej me një gazetar të parëndësishëm të një gazete të huaj që mund ta kritikojë.
Kjo nuk është puna e tyre. As është në interesin publik të qytetarëve të vendit të tyre. Si qytetarë, ne i zgjedhim dhe kërkojmë prej atyre që administrojnë dhe drejtojnë punët e qeverisë, sidomos prej kryeministrit të vendit, që të merren me nevojat, me kërkesat dhe me fatet tona, jo me kritikat e gazetarëve të huaj.
Është i njohur afeksioni i kryeministrit Rama për rrjetet sociale, por qytetarët e këtij vendi nuk jetojnë në cyberspace, as në glogosferë. Qytetarët kanë halle e nevoja reale (jo virtuale) të shumta, zgjidhja e të cilave kërkon një qeveri dhe një kryeministër që të jenë compassionate dhe jo egoistë e arrogantë, një kryeministër që nuk e shpenzon kohën në podcast me Luis Ejllin apo Elvana Gatën, ose në TikTok me një Papadopulos në Athinë, që për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi janë një realitet joreal, por në takime me popullin dhe për popullin e vendit të vet, në konsulta me ekspertë dhe specialistë të ekonomisë, të shërbimeve e të çështjeve sociale.
Këtu, në botën reale, mes njerëzve—në qytetet dhe në fshatrat ku shqiptarët jetojnë—janë dhe mund të zgjidhen konkretisht të gjitha nevojat e qytetarëve të këtij vendi, jo përmes komunikimeve virtuale me ta, dhe aq më pak me personazhe krejt të parëndësishëm për shumicën e shqiptarëve.
Regjistrimin e kryeministrit Rama e pashë të transmetohej i plotë disa herë dje në emisionet e lajmeve të disa televizioneve kombëtarë. Shkëmbimi i tij online me gazetarin grek u bë kështu një prej lajmeve kryesorë të ditës. Sa grotesk ky qëndrim i medias. Një lajm pa lajm, që s’bëri gjë tjetër veçse dëshmoi edhe një herë një aspekt të alkimisë së narcisizmit politik të kryeministrit.
E gjitha kjo më duket për të qeshur. Por, në fakt, kjo është një arsye më shumë për të zgjuar të gjitha kualitetet tona racionale si individë me common sense dhe si qytetarë të zakonshëm, që me të drejtë kërkojmë një jetë më të sigurt, më të mirë e më dinjitoze nga ata që kemi zgjedhur të na përfaqësojnë e të drejtojnë qeverinë e vendit tonë.