Noterët, sistemi bankar dhe tregu imobiliar kanë ngritur prej disa ditësh shqetësimin e përbashkët lidhur me vonesat në kthimin e përgjigjeve nga Agjencia Kombëtare e Kadastrës dhe mungesën e profesionalizmit.
Ankesat e vazhdueshme të grupit të interesit kanë marrë përgjigje përmes një reagimi me shkrim nga drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici.
Shqetësimet e ngritura, sipas Bicit janë në të vërtetë sulme nga grupet e interesit që duan me ngulm dështimin e Kadastrës. Por ky institucion, sipas drejtueses së tij po reformohet.
“Pse kërkojnë të gjithë me ngulm dështimin e kadastrës?!
U bë kaq javë që Kadastra është nën sulme të vazhdueshme. Nga grupe interesi që hapur, apo fshehur, me arsye, apo jo, bëjnë çmos të përlyejnë fytyrën e re të ASHK, atë ku mitmarrja dhe korrupsioni nuk janë fjala e ditës, e ku zyrtarët si shumica e qytetarëve të këtij vendi duhet të presin normalisht pagën në fund të muajit, e meqë nuk janë mësuar kështu, dorëhiqen”, shkruan ajo.
Ankesave të noterëve për përgjigjet e përpiluara në gjuhë jo institucionale dhe vonesave në përgjigje, drejtoresha e Kadastrës iu përgjigjet me pyetje. Sipas saj, interesi i qytetarëve nuk prevalon, por e vërteta qëndron tek ndryshimet që Kadastra po i nënshtrohet, ç’ka sjellë që noterët të humbasin burimet e tyre.
“Pse janë trazuar noterët?! Ata që për kaq vite, as nuk kanë folur ndonjëherë për vonesa, për atë stokun e aplikimeve disa vjeçare, për të drejtat e qytetarëve. Pse nisën të kenë ndenja karshi halleve të qytetarëve tani që prej disa javësh në ASHK ka nisur të proçesi i ri i punës pas riinxhinierizimit të sistemit? Mos vallë kanë humbur burimet e tyre dhe kanë mbetur si peshku në zall?! Do flasim sërish për ta. Shumë shpejt”, shton ajo.
E drejta e qytetarëve, vijon më tej Bici në reagimin e saj, do të mbrohet nga reformimi i këtij institucioni dhe jo nga grupet e interesit. Pretendimet e ngritura nga këta të fundit ajo nuk i cilëson si probleme, por thekson se ka vonesa, ngërç, por jo dështim.
“Por pse kërkojnë dështimin e kadastrës me ngulm grupe të tjera interesi?! Çfarë kanë humbur? Pse vallë nuk kërkohet edhe qëndrimi i ASHK për lajme të ndryshme, akuza, pretendime?
Unë nuk i kam shmangur kurrë sfidat. Dhe kjo që po ndodh sot në ASHK, është një ndryshim epokal për këtë institucion. Por ky ndryshim do të ruajë xhepat e qytetarëve, duke mos i zbrazur tek këto “grupet e interesit”. Do të ruajë pronën, duke mos lejuar të tjera grupe interesi të bëjnë si të duan. Sot akuzohemi e sulmohemi për vonesa. Nëse ndokush ka kujtesë, vetëm pak muaj më parë ASHK akuzohej vetëm për mitmarrje dhe korrupsion. Ka vonesa. Nuk ka probleme. Ka ngërç. Nuk ka dështim. Vetëm pse duam t’i bëjmë gjërat shpejt dhe mirë, pavarësisht sabotimeve, dashakeqëve, atyre që duan të përfitojnë. Ne do t’i bëjmë për njerëzit. Për ata që në fakt nuk është i interesuar asnjë “grup interesi”, përfundon ajo.
Në reagime të më hershme, grupet e interesit kanë akuzuar Agjencinë Kombëtare të Kadastrës se po “paralizon” punën e tyre, kosto e cila prek drejtpërdrejtë qytetarët.
Sistemi bankar shprehet se vonesat në kthimin e përgjigjeve kanë bllokuar kredimarrjen. Sipas të dhënave gjatë muajit korrik, bankat nuk kanë mundur të miratojnë kredi të reja. Shkak është bërë mos kthimi i përgjigjeve nga Kadastra për aplikimet që qytetarët bëjnë për pronat që kërkojnë t’i vendosin si garanci për huadhënien.
Shqetësim ka shfaqur edhe tregu imobiliar, duke theksuar se ngërçi i krijuar ka paralizuar edhe tregun e pasurive të patundshme. Prej më shumë së një muaji transaksionet janë bllokuar, pasi Kadastra nuk shqyrton aplikimet. Edhe në rastet kur shqyrtohen, afatet janë trefishuar.
/a.r
Dakord me ju zonja Bici. Plotesisht në një mëndje me ju. Por, kam vetëm një pyetje, vetëm një :
Lutem, kur mbaron ky tranzicioni juaj ? Pra, kjo periudhë “shtatzanie” ? Mbasi, sa herë që ndërroheni ju Drejtorët e Mëdhenj të Kadastres, prapa, ka medemek “tranzicion”….
Popullit, i ka ardhur atje ku nuk mban më. Lëri noterët, mos u merr me ta, por shiko kush është prapa tyre, mbasi siç ti e di mirë, prapa tyre, është populli fakir fukara, dhe që për tranzicionin tuaj, i rrjepin noterët.
Ju përshëndes…