Një shtetas shqiptar është dëbuar nga Italia për shkak se kishte shfaqur interesin për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave ka qenë ministri i Brendshëm, Angelino Alfano që ka urdhëruar dëbimin për arsye sigurie. Sipas burimeve, shtetasi shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, jetonte prej kohësh në lokalitetin Poco d’Ada, në rrethinat e qytetit verior të Milanos. Bashkë me të është dëbuar edhe një shtetas tunizian, rezident në qytetin e Padovës, që kërkonte në internet materiale për xhihadistët. Me këto raste ngjiten në 7 dëbimet e bëra nga vendi fqinj për motive sigurie që nga fillimi i vitit, ndërsa ata të 2015-s rezultojnë 66, për një total prej 73 personash.