Vajzat që studiojnë në shkencat kompjuterike ndajnë një pasion të përbashkët me njëra-tjetrën: dashurojnë teknologjinë dhe informatikën. Ato kanë shpresa dhe ëndrra që një ditë të punojnë në Google, Facebook, Twitter apo Amazon, dhe për ta realizuar këtë ëndërr ato kanë aleate. E tillë është Erisa Terrolli, fituesja e bursës me emrin “Anita Borg” mundësuar nga gjiganti Google.
Erisa e cila momentalisht është një nga 140 vajzat në botë që ka fituar këtë bursë dhe po vijon doktoratën në Universitetin e Sapiences në Itali, ishte në Tiranë për të frymëzuar vajzat e tjera që të ndjekin ëndrrat e tyre.
“E di që numri i femrave është i vogël në shkencat kompjuterike, kjo iniciativë këtë qëllim ka që t’i bëjë ato të marrin iniciativën të rrezikojnë. Ato janë skeptike aplikojnë për punë të fundit, ndërsa meshkujt janë të parët që marrin iniciativën dhe rrezikojnë”, tha Erisa.
Ndërsa, ministrja e Inovacionit, Milena Harito, tha se “vajzat dhe gratë duhet të punojnë në punëra sa me të mirëpaguara. Lirinë dhe barazinë e vërtetë me burrat na i jep puna jonë”.
Inxhinierja kroate e software të Google, Verdana Jankoviç, u refuzua disa herë nga Google por ylli i saj shkëlqeu 3 vite më parë kur më në fund u pranua të jetë pjesë e kompanisë. Nëpërmjet një videokonference, ajo dha mesazhin që askush nuk duhet të humbë shpresat nëse refuzohet nga kompanitë ku aplikojnë. Sekreti sipas saj është puna intensive dhe këmbëngulja. Këshilla më e mirë që ajo mund të jepte ishte mos pasja frikë nga refuzimet dhe etja për dije dhe kualifikime të herëpashershme.
Shkencëtarja amerikane Anita Borg ka parashikuar që raporti i meshkujve dhe femrave në fushën e teknologjisë dhe informatikës deri në fund të vitit 2020 do të jetë në raportin 50 me 50 meshkuj dhe femra.
Google ka nisur një fushatë në mbarë botën, ku pjesëmarrëse kanë qenë 10.000 vajza dhe gra, të cilat ndërtojnë teknologjinë apo e përdorin atë për të krijuar më tepër inovacione në fushën e informatikës si Erisa apo Verdana.
BW