Nga muaji korrik, sportelet fizike që funksiononin për dhënie informacioni në kadastër u mbyllën, duke kaluar çdo gjë online. Paralelisht me sistemin e ri të ofrimit të shërbimeve nga rezultati i shortit, tregu është paralizuar, pasi shumë aplikime janë pa përgjigje. Ky realitet shqetësues konfirmohet nga edhe shifrat e aplikimeve nga zyrat e noterëve, si hallka kryesore mes qytetarit dhe kadastrës.
“Mund t’ju konfirmojë që nga data 1 korrik e deri në 10 gusht janë kryer 5655 aplikime, por vetëm 1300 prej tyre kanë marrë përgjigje. Shifrat nuk janë pozitive, por ne themi se jemi në fazën e parë të këtij proces dhe shpresojmë se situata do të ndryshojë në vazhdim. Ndërkohë që ka një ecuri më pozitive aplikimet me procedurë të përshpejtuar, të cilat kushtojë edhe më shumë”,- sqaroi Fatmir Lacej nga dhoma kombëtare e noterëve
Sistemi i ri i miratuar parashikon që një aplikim në Tiranë mund të shqyrtohet nga një zyrë kadastre e një tjetër qyteti, duke shmangur kështu mundësinë e korrupsionit. Por pavarësisht qëllimit pozitiv të këtij sistemi, noterët thonë se, që revolucioni digjital të ketë sukses, duhet që zyrtarët të mbajnë përgjegjësi deri në ndjekje penale.
“Ne jemi të mendimit se punonjësit e kadastrës duhet të jenë më të përgjegjshëm. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për mos kthim përgjigjesh në kohë. Deri më tani problem kryesorë mbetet fakti që nuk respektohen afatet e përcaktuara nga vet ligji duke sjellë zvarritje të shërbimeve”, – thotë Lacej
Sipas noterëve duket se është kthyer në praktikë pune që për një aplikim të kërkohen dokumente shtesë të panevojshme duke i zvarritur procedurat pa limit.
Nga muaji maj 2022 qeveri vendosi të ofrojë 90% të shërbimeve publike online, duke e konsideruar këtë vendim si revolucion digjital në çështjen e pronave. Por deri më tani, shifrat tregojnë se zyrat e kadastrës kanë dështuar ta meritojnë këtë emër.