E paditur në Gjykatën Kushtetuese nga avokatët, harta e re gjyqësore po inspektohet edhe nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, prej nga ku do të kuptohet se çfarë ndikimi solli tek proceset gjyqësore në rang vendi.
“Harta e re do kohën e vet që të përshtatet me situatën e re edhe magjistrati duhet të përshtatet me hartën e re gjyqësore. Është një proces që po e shohim në vijim, edhe për shkak të detyrimit që kemi për të ndjek problematikat që dalin në raport me të drejtat e qytetarëve nga kjo hartë e re, kështu që në çdo moment që ne do të konstatojmë një situatë për të cilën duhet të ndërhyjmë, e para do të ndërhyjmë, e padyshim do të bëhet publike“, tha Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësië.
Vetëm në gjykatën e Tiranës tek e cila është transferuar edhe gjykata e Krujës, stoku i dosjeve ka shkuar në 19 mijë çështje.
“Ka më shumë ankesa për gjyqtarë se sa për prokurorë, është natyrshëm që të jetë ky proces, sepse ggjykata është organi vendimmarrës i fundit pas një procesi gjyqësor, penal kryesisht. Kështu që numri më i lartë i ankesave vjen për gjyqtarë, përgjithësisht për gjykatat e mëdha në vend siç janë Tirana, Durrësi, Vlora, sepse padyshim problematika më të mëdha sociale janë në qytete që ka më shumë popullsi dhe më shumë interesa që konfliktojnë njëri-tjetrin. Po i shohim të gjitha me prioritet, duke mos i harruar edhe qytetet e vogla, edhe ankesat që vijnë për qytetet e vogla sepse drejtësia është kudo njëlloj“, theksoi Metani.
Në të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë stoku numëron 40 mijë gjykime . Përmbi 5 mijë shtetas janë ankuar pranë ILD dhe shumica janë për mos zbardhje të vendimeve. Gjyqet për pronat vazhdojnë të jenë një problem i pazgjidhur.
“Për zvarritjen e hetimeve dhe gjykimit kanë të bëjnë të dyja rastet, zvarritje që kanë të bëjnë me shkaqe penale janë më ta pakta“, shtoi Metani./tch