Malli për një derbi bëri që Tirana ta mirëpriste rikthimin e kundërshtarit të urryer nga ferri i kategorive inferiore, por as tifozi më pesimist i bardhebluve nuk do ta kishte menduar kurrë se skuadra e tij do të kalonte më tepër se dy vjet pa fitoren kundër Partizanit.
7 shkurt 2014 është dita kur Tirana ka fituar për herë të fundit në derbi, falë golit të shënuar në minutën e 78-të nga braziliani Gilberto.
Që atëherë, kanë kaluar diçka më tepër se dy vjet, brenda të cilëve janë zhvilluar shtatë ndeshje. Katër janë mbyllur në barazim, ndërsa tri i ka fituar Partizani.
Një fakt i pakëndshëm për tifozët bardheblu, të cilët në çdo ditë derbi besojnë se më në fund është dita e tyre, për t’u zhgënjyer sërish.
Lavdia e së shkuarës është objekt adhurimi e mburrjeje nga ana e të dyja tifozerive. Bardheblutë kujtojnë 24 titujt karshi 15 të kundërshtarëve, fitoren 7-3 tri dekada më parë, ndërsa të kuqtë përgjigjen me suksesin që tani nuk e mban mend askush, 8-0, në vitet ’40.
Partizani nuk e fiton titullin që më 1993, Tirana që më 2009. Çdo sezon nis me objektivin madhor për titullin e radhës, për t’u “katandisur” pastaj vetëm me arritjen e Europës, objektiv që u kthen buzëqeshjen presidentëve të klubeve, por aspak tifozëve që nuk sugjestionohen nga takimet e netëve të nxehta të verës.
39 titujt e marrë së bashku i përkasin të shkuarës. Të nënshtruar përpara fuqisë së Skënderbeut, kampion i pesë viteve të fundit dhe kryesues i kampionatit aktual, një sukses në derbi ka mbetur ngushëllimi i vetëm për tifozët e të dyja skuadrave.
JavaNews / Dritan Ikonomi