“Italiani” është i njohur për përfshirjen e tij në konfliktet e lokaleve të Prishtinës – që për pasojë lanë të vdekur dhe të plagosur. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë në “Bon Vivant”, ndërsa më 2019 kishte ndodhur një tjetër përplasje e armatosur në “Duplex”
Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, ka mbetur mbrëmë i plagosur në sherrin me armë që ndodhi në kafen “Bon Vivant”.
Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivsisht se ai dyshohet të jetë përfshirë në rastin ku një person mbeti i vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur nga gjuajtjet me armë dhe gotat e qelqit.
Por, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin “Italiani” ishte i përfshirë. Ai mbahet mend edhe për rastin që kishte ndodhur në vitin 2019, në klubin e natës, “Duplex”.
Atë kohë nga shtënat me armë zjarri pranë hyrjes së “Duplex”-it, kishin mbetur të plagosur katër persona. Plumbat dyshohet se kishin ardhur nga Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën “Llepota” dhe dy shoqëruesit e tij, që ishin Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.
“Ata nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda. Ka qenë veprim i keq ai i joni, por ata kanë gabuar sepse ne nuk kemi shkuar që të luftojmë atje. Si krejt bota që do me hy brenda, edhe ne kemi dashtë, por nuk na kanë lejuar, andaj ka ndodhur ky keqkuptim. Nuk ka pasë të bëjë as me femra e me asgjë tjetër, vetëm kanë thënë që neve nuk na lënë të hyjmë brenda”, tha ai për Gazetën Insajderi.
Pajaziti pati thënë se do të dorëzohej në Policinë e Kosovës.
“S’jemi në arrati se s’kemi bërë asgjë na, shkojmë paraqitemi, kismet nesër”, pati thënë Pajaziti më 11 nëntor të vitit 2019, vetëm dy ditë pasi kishte ndodhur plagosja me armë në “Duplex”.
Por, “Italiani”, nuk ishte dorëzuar në polici ashtu siç kishte deklaruar. Ai ishte kapur vetëm pak ditë më pas nga policia. Arrestimi i tij ndodhi më 26 nëntor, tek vendi i njohur si “Breu i Diellit”. Më vonë ai ishte liruar nga policia.(Gazeta Sinjali)