Një 49-vjeçar i dënuar nga drejtësia shqiptare me 15 vjet për një vrasje në 1997 është arrestuar në Itali.
Sipas policisë bëhet fjalë për shtetasin Artur Doku alias Gent Sherifi, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, sqaron policia.
Njoftimi
Vihet në pranga, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Seksionit të Kërkimit të DVP Tiranë, Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore italiane, një shtetas i dënuar me 15 vjet burgim.
Lokalizohet në Itali, pas shkëmbimit të informacioneve, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i dënuar me 15 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, pas marrjes së informacionit nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana, për një shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar, informacionet i janë dërguar autoriteteve policore italiane, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Në bazë të informacioneve të dërguara nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, është lokalizuar dhe arrestuar në Itali, shtetasi Artur Doku alias Gent Sherifi, 49 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në vitin 1997, 49-vjeçari ka vrarë me armë zjarri shtetasin I. Ç., dhe ka plagosur shtetasin D. Ç.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi nga Italia drejt vendit tonë./m.j