Mbi 15 mijë maturantë, nga 20 mijë gjithsej që kanë shprehur interesin për të ndjekur studimet e larta, kanë plotësuar formularin e 10 preferencave në U-Albania. Afati i fundit i plotësimit është data 3 gusht.
“Kemi ecuri shumë të mirë. Duke pasur parasysh se rreth 20 mijë maturantë janë regjistruar në sistem dhe kanë shprehur dëshirën për të vijuar vitin akademik. Rreth 15 mijë maturantë e kanë bërë zgjedhjen e tyre që do të thotë afërsisht 75% e maturantëve. Është një ecuri shumë e mirë. Ju bëj thirrje maturantëve të tjerë që të vijojnë aplikimin. Edhe nëse e kanë në mëdyshje, mund ta bëjnë aplikimin pasi asgjë nuk i pengon që të bëjnë zgjedhje të mëtejshme”, tregoi Arjan Xhelaj.
Një prej degëve me interesin më të lartë është Universiteti i Mjekësisë, me gjimnazistët që nuk janë ndikuar nga vendimi i Qeverisë për punësimin 5 vite në Shqipëri. Degë të tjera që kanë pasur interes të lartë, thotë drejtori i Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj janë inxhinieria, teknologjia e informacionit por edhe për degët e universitetit Bujqësor.
“Në sistem janë 653 programe studimi që ofrohen nga universitetet publike dhe private. Nga eksperienca e viteve të kaluara, degët që kanë të bëjnë me shëndetin, teknologjia e informacionit por dhe inxhinieria kanë qenë të preferuarat e maturantëve. Lidhet dhe me tregun e punës sepse kërkesa për punonjës rritet gjithmonë. Me interes është edhe përzgjedhja e maturantëve e universitetit Bujqësor. Kemi rreth 3500 maturantë që kanë aplikuar për të vijuar në një degët e Universitetit bujqësor. Nga shifrat e para që shikojmë, kemi një rritje të interesit”, tha Xhelaj.
Pas kësaj faze, maturantët do të kenë edhe një mundësi të dytë në portalin U-Albania për t’i përshtatur tashmë degët e preferuara me kuotat në universitete.
“Pas datës 3, kalkulohen të dhënat. Maturantët duhet të informohen në Websajte për të parë datat e provimeve se disa degë janë me provim. Në portalin U albania, me datë 27 maturanti mund të shikoje renditjen për të gjithë aplikimin që ka bërë”, përfundoi Xhelaj.
Renditja përfundimtare e degëve për maturantin do të shpallen me datë 21 shtator. Menjëherë një ditë më pas, nga data 22 deri më 1 tetor, ata mund të regjistrohen në universitete./m.j