Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, për ngjarjen e rëndë në Hamallaj të Durrësit ditën e sotme, ku një konflikt për motive pronësie ka degjeneruar në dhunë dhe të shtëna armësh mes dy familjeve Kaçi dhe Nikolla.
Mes personave të përfshirë ka qenë edhe një punonjës i gardës Martin Nikolla, i cili është shoferi i kryetares së kuvendit Lindita Nikolla.
“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.
Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”,-shkruan Lindita Nikolla.