Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar këtë të mërkurë me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me emërime e 6 anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Sipas ambasadës, këto dy institucione janë në themel të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa vijon më tej se, gjashtë anëtarë të rinj do t’i bashkohen çdo Këshilli, 3 anëtarë jo-magjistratë dhe 3 anëtarë magjistratë, me një mandat pesë-vjeçar.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë në themel të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Tashmë, janë hapur vende të lira brenda dy këshillave. Kjo përtëritje e anëtarëve të Këshillave është thelbësore për mbrojtjen e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe përparimin drejt një sistemi drejtësie të pavarur dhe të efektshëm.
Gjashtë anëtarë të rinj do t’i bashkohen çdo Këshilli – 3 anëtarë jo-magjistratë dhe 3 anëtarë magjistratë – me një mandat pesë-vjeçar.
Për anëtarët jo-magjistratë, afati i fundit për aplikim është të shtunën e ardhshme, 5 gusht 2023. Procesi administrohet nga Kuvendi. Detajet mbi procesin e aplikimit mund të gjenden këtu:
-Një anëtar nga shoqëria civile: https://bit.ly/3DsUkrB (parlament.al)
-Dy anëtarë nga radhët e avokatëve: https://bit.ly/3Kh22c1 (parlament.al)
Për anëtarët magjistratë, afati i aplikimit është data 4 shtator 2023. Procesi administrohet nga Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Detajet mbi proceset e aplikimit mund të gjenden këtu:
-Për Këshillin e Lartë Gjyqësor: https://bit.ly/3Otenëm
-Për Këshillin e Lartë e Prokurorisë: https://bit.ly/3q92eDl
Ambasada e SHBA nxit të gjithë kandidatët e kualifikuar të aplikojnë për të siguruar një proces të drejtë, konkurrues dhe një tranzicion të suksesshëm. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë, do ta ndjekim nga afër këtë proces në muajt në vijim.”
Njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë
/f.stafa