Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.
Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 35 vite burg edhe Arjol Halilajn, i cili sipas SPAK ka pasur rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Sipas akuzës, nipin e deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë.
Për prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY EÇ, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuari në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës.
Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si “bidon”, “benzin”, “autostradë.
Atentati ndaj Arjan Ndojës
Ngjarja e rëndë ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019. Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.
Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve./m.j