Një 32-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pasi ka vjedhur dy automjete në Tiranë. Me të dyja makinat e vjedhura ai u përfshi në aksident, ndërsa i riu sipas policisë dyshohet se është me probleme të shëndetit mendor.
32-vjeçari F.F., vodhi një ‘Volkswagen’, në Fushë-Farkë dhe rreth orës 13:30 është përfshirë në një aksident ish-Uzina e Autotraktorëve. Me marrjen e njoftimit për aksidentin, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka dërguar të riun në spital.
Pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash ai është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi F. F., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i 32 vjeçarit, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./m.j