Nga Shpëtim Luku
Sektori i karburanteve është ndoshta më i keqkuptuari nga të gjithë. Së pari nga konsumatorët e thjeshtë shqiptar, keqkuptimi i të cilëve nis tek pompat e karburantit teksa furnizojnë makinat e tyre dhe ballafaqohen me cmimin e lartë të produktit. Jo pak prej tyre bëjnë krahasime me vendet rreth e qark rajonit, e meqënëse cmimet në tregun shqiptar janë më të larta i përkthejnë këto automatikisht në fitime për kompanitë.
Por gabojnë dhe harrojnë se përpara se të pretendosh për cmime të përafërta apo të njëjta me vendet përreth duhet të pranosh se edhe taksat me të cilat ngarkohet karburanti duhet të jenë të barabarta. Kur në të vërtetë nuk janë, pasi ngarkesa fiskale për karburantet në Shqipëri është më e lartë se sa në vendet me të cilat krahasohemi
Grupi i dytë i të keqkuptuarve, e që në të vërtetë është grupi i keqinterpretuesve, është ai i “analistëve”, “intelektualëve” dhe hazërxhevapëve, por edhe spekulantëve që kanë axhenda politike. Ky tip sillet dhe konkludon në një mënyrë të tillë sikur atij nuk ia hedh dot njeri. Por që këta s’bëjnë gjë tjetër vecse e shtojnë edhe më shumë paqartësinë e qytetarëve të thjeshtë. Pasi edhe kjo kategori nuk e kupton se si del kostoja e karburantit.
Keqkuptimet u trashën më tej kur në skenë u fut Bordi i Transparencës nga Qeveria në kuadrin e krizës që provokoi lufta në Ukrainë. Edhe pse qëllimi kryesor i tij ishte transparenca me cmimet, pasi ato kapërcyen në nivele të paimagjinueshme, kjo nuk mjaftoi, por shumë shpejt ai u perceptua si një organizëm në funksion të kompanive të karburantit. Ndërkohë që nga ana tjetër, në biseda informale, shumë nga drejtuesit e kompanive kryesore ankoheshin se Bordi po i dërrmonte.
“Nëse vazhdon edhe për ca kohë Bordi, duhet me e mbyll biznesin” , tha para disa kohëve Paulin Gega, kreu i GEGA OIL Group. Tani që Bordi është shkrirë, por mbi të gjitha, tani që egzistojnë të dhënat për të gjykuar mbi bazë faktesh se si është e vërteta, nëse qëndrojnë pretendimet apo që edhe perceptimet kanë baza reale apo jo, le të hedhim një vështrim mbi situatën. Në analizën tonë kemi marrë për bazë treguesit e performancës së 4-5 kompanive kryesore, që i kanë dorëzuar bilancet e tyre. Dhe cfarë rezulton?
GEGA OIL Group ka patur volum aktiviteti të ndjeshëm nga ana sasiore. Pra ka shitur product, duke regjistruar një xhiro aktiviteti prej 44 miliardë lekës(të reja). Por kur vjen puna tek treguesi i fitimit, pra tek ai tregues që tregon përfitueshmërinë e kompanisë dhe që është një ndër treguesit më ktyesor të performancës, ai rezulton në nivele modeste. Vetëm 179 milionë lekë të reja ka fituar kompania, edhe pse ka qarkulluar pra rreth 44 miliardë lekë, që i takon një normë fitimi prej 0.3 për qind.
Europetrol Durrës është një tjetër kompani e rëndësishme e tregut të karburanteve. Ka qarkulluar në vitin 2022 18 miliardë lekë, për të fituar 55 milionë lekë. Edhe kjo kompani me normë fitimi më pak se 0.3 për qind.
BOLV Group bën pjesë tek protagonistët e rëndësishëm të hidrokarbureve. Me një historik veprimtarie të gjatë në këtë sektor. Por në vitin 2022 edhe pse ka qarkulluar mbi 12 miliardë lekë produkte, jo vetëm nuk ka siguruar fitim, por përkundrazi, ka dalë me humbje prej 173 milionë lekësh.
Dukurinë e përforcojnë edhe rezultatet e dy kompanive të tjera: Everest Oil dhe Krasniqi sa. E para, pra Everesti ka realizuar një xhiro prej 4.6 miliardë lekësh dhe ka siguruar një fitim prej 68 milionë lekë, Kurse Krasniqi sa ka realizuar një aktivitet në vlerën e 2.5 miliardë lekëve për të siguruar një fitim të papërfillshëm prej 1.3 milionë lekësh.
Nga kjo panoramë treguesish ekonomiko financiarë duke qartë pra, që sektori i karburanteve jo vetëm që nuk ka bërë namin me fitime spekulative në kurriz të konsumatorëve, sikurse është iluzioni dhe opinion i shumicës, por ajo ka perjetuar ndoshta vitin më të keq në historinë e saj. Vetë ky sektor radhitet tek ata me konkurencën më të fortë si rezultat i investimeve të kryera në masën 2-3 herë më shumë se nevojat, cka i jep këtij kompanive të këtyre sektori fizionominë e atyre që qarkullojnë miliarda për të fituar qindarka.
Dhe një rol jo të vogël në rezultatin financiar të kompanive kryesore të hidrokarbureve duket se ka luajtur edhe ish-Bordi i Transparencës. Sepse, sic thonë specialistë të sektorit të hidrokarbureve, duke mos njohur shpenzime të tilla si interesat e kredive bankare(ndërkohë që këto kompani punojnë me overdraft bankarë), duke mos njohur firot ligjore apo edhe amortizimin e paisjeve, shpenzime këto që zenë deri në 5.5 lekë për litër, kompanitë janë gërryer nga fitimet e ligjshme të tyre. Duke regjistruar kështu në historikun e tyre një vit kur kanë punuar kot dhe janë paragjykuar dhe akuzuar gjithashtu kot.