Deputetja socialiste Ermonela Felaj është vënë nën ‘shenjestërn’ e opozitës të cilët e akuzojnë se kanë pushtuar Prokurorinë e Tiranës, pasi punojnë katë të afërm të saj. E ftuar në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, Ermonela Felaj tha se motra dhe kunata e saj kanë dy dekada që punojnë në sistemin e drejtësisë. Ajo tha se erdhën në Prokurorinë e Tiranës pas vakancave të hapura nga KLP, ndërsa thotë se vetë ajo nuk ka asnjë lidhje me reformën në drejtësi.
“E pavërtetë, është vetëm një me mbiemrin Felaj, bashkëshortja e vëllait tim. Motra dhe bashkëshortja e vëllait kanë punuar për dy dekada dhe për asnjë rast nuk janë promovuar dhe pse është një e drejtë kushtetues e çdo magjistrati që të promovohet brenda sistemit. S’më takon mua të flas për këtë pjesë. Sikur unë kam ndikuar për ndryshimin e ligjit dhe dhënien e mundësisë që ata të punojnë në një prokurori karriere si Tirana. Kërkesa e tyre është bërë në kushtet kur sistemi ka vakanca dhe ka kërkesë nga KLP për vakancat. Kështu ka ardhur dhe konsiderata. A ka lidhje me Ermonela felaj? Jo, Ermonela s’ka lidhje me reformën në drejtësi, skam qenë deputete, kam qenë ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin. Nuk kam qenë deputete dhe nuk e kam votuar dot reformën në drejtësi. A kam lidhje me ligjin, jo se nuk kam qenë. Ku bëhet lidhja ime me kaq ligësi me këtë gjë. Ligji është kontestuar në Kushtetuese dhe në përfundim të gjykimit”, tha Felaj.
Ajo komentoi edhe procedurat për inceneratorët, duke thënë se sulmet e opozitës ndaj saj kanë qenë për diversion.
“Dua t’iu them që ky komision hetimor i kërkuar nga opozita, nëse PS s’do kishte pranuar s’do kishte punuar një ditë të vetme. Pa prezencën e deputetëve të PS ky komision sdo punonte një ditë të vetme dhe të përfundonte edhe në një raport, të opozitës, se edhe PS pati një raport. Nëse sulmet ndaj meje në komision hetimor kanë qenë për diversion, unë në të vetmen procedurë të Fierit që jam pyetur, ministri i shtetit, për arsye që më takojnë vetëm mua si ministre shteti aso kohe kam qenë kundër procedurës së fierit në bazë të dokumenteve që më janë vënë në dispozicion aso kohe. Në Elbasan kam dhënë vetëm miratimin për marrjen e mendimit të Ministrit të Energjetikës, Gjiknurit. Në lidhje me procedurën nuk jam pyetur ndonjëherë”, tha Felaj.
Alma Felaj, kunata e deputetes Ermonela Felaj u konfirmua në detyrë nga KPK ndërsa ligjvënësja ka edhe tre të afërm në tjerë në Prokurorinë e Tiranës, bashkëshortin dhe motrën si prokurorë dhe vëllai i saj si oficer i policisë gjyqësore. Kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi, ka hedhur akuza ndaj Felajt, duke thënë se bashkëshorti i saj ka marrë ryshfet 1.5 mln euro nga katër biznese.
/f.stafa
Mose je edhe ti sh fela juriste,te shkosh e te punosh edhe ti ne prokurorine ku ke derguar kopene tende te punoje.