Autoriteti i Dosjeve duhet të riverifikojë funksionarët publik që kanë një certifikatë të vjetër pastërtie. Rezoluta e miratuar nga parlamenti kërkon nga ky institucion intensifikimin e punës pas heqjeve të pengesave ligjore.
Kuvendi kërkon nga Autoriteti i Dosjeve që të riverifikojë personat që kanë marrë më parë një certifikatë pastërtie nëse kanë qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit.
Pas ndryshimeve ligjore që sollën shfuqizimin e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, Autoriteti të bashkëpunojë me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike me qëllim që t’i drejtohen Autoritetit me kërkesë për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie.
Një vit më vonë, kjo çështje duket se vijojnë të jetë sërish në verifikim e sipër. Kjo detyrë shtëpie duket të jetë hapi i vetëm i parlamentit për pastrimin e funksionarëve publik nga ish-bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit.