Kanabisi së shpejti mund të jetë një formë ligjore e trajtimit për ushtarët e plagosur ukrainas, si dhe për njerëzit e tjerë me sëmundje të rënda.
Qeveria ukrainase ka gati një projekt-ligj për legalizimin e përdorimit të tij për qëllime mjekësore, i cili mori “dritën jeshile” në parlamentin e Ukrainës, pas disa dështimeve.
Myhalo Bakalyuk, një anëtar i Brigadës 47 të Ukrainës, është një nga ushtarët që ka apeluar për një ndryshim në ligj. Ai postoi një apel me shkrim në Facebook duke shpjeguar se si ishte plagosur rëndë nga një minë kundër personelit në frontin jugor, gjë që rezultoi me prerjen e këmbës së majtë.
Ilaçet kundër dhimbjeve që ai mori ishin në gjendje vetëm të zbusnin dhimbjen fizike, shkroi ai, por nuk mund ta lehtësonin atë. Ata gjithashtu patën një efekt negativ në sistemin e tij kardiovaskular, sistemin nervor qendror dhe organet e brendshme, tha ai.
“Unë ju kërkoj të konsideroni mundësinë e miratimit urgjent të një ligji për kanabisin mjekësor. Përdorimi mjekësor i një ilaçi të tillë si qetësues kundër dhimbjeve do të zvogëlojë ndjeshëm dhimbjen dhe ndikimin në trup në krahasim me kimikatet ekzistuese”, shkroi ai.
Kanabisi mjekësor do të përdoret gjithashtu për të trajtuar veteranët me çrregullim të stresit post-traumatik, sipas Olha Stefanishyna, një ligjvënëse që është pjesë e komisionit të shëndetësisë të parlamentit. Në total, rreth 6 milionë njerëz në Ukrainë do të përfitonin nga trajtimi, tha ajo në televizionin ukrainas.
/f.stafa