Revanshi i shumëpritur në boks midis amerikanit Floyd Mayweather dhe filipinasit Manny Pacquiao mund të ndodhë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Tashmë që Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) do të lejojë pjesëmarrjen e boksierëve profesionistë në Olimpiadë, eksitojnë gjasat që dy boksierët të rikthehen në ring për t’u përballur sërish mes tyre, këtë herë për medaljen e artë në peshën e mesme.
Për më tepër që Pacquiao ka konfirmuar se ka marrë një ftesë për të dueluar për vendin e tij në “Rio 2016”.
Presidenti i AIBA-s, Ching Kuo Wu, ka ftuar personalisht Pacquiao të garojë për Filipinet në Olimpiadën braziliane, lajm që konfirmohet nga mediat filipinase. Kjo ide ka lindur që tetorin e kaluar, kur Wu ka takuar Pacquiao në Doha të Katarit.
Boksieri filipinas do të zhvillojë më 7 prill sfidën e tij të fundit si profesionist me Timothy Bradley, por të gjithë e dinë që ai ëndërron revanshin me MayWeather, pas humbjes me vendim unanim të gjyqtarëve majin e vjetshëm, në përballjen që ata zhvilluan në Las Vegas.
Pacquiao ka thënë se për një revansh me Mayëeather rikthehet sërish në ring, por problem është boksieri amerikan, që ka deklaruar se nuk ka ndërmend të duelojë (zhvilloi në shtator ndaj Andre Berto sfidën e fundit).
Por ideja për një medalje të artë në Olimpiadë mund t’i prishë atij mendjen, një titull që ai nuk e ka fituar kurrë. Në vitin 1996, Mayweather ka pësuar humbjen e vetme në boks, asokohe si amator, kur garonte për Amerikën në “Atlanta 1996” dhe humbiste në gjysmëfinale (fitoi medaljen e bronzit).