Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj ministrit të Brendshëm të sapoemëruar Taulant Balla si dhe Kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi se sherri i ndodhur në Borizanë është dëshmi e shtetit të mafias, duke theksuar se fisi Rraja janë të lidhur direkt me pushtetarët aktualë.
“Historia dramatike, ngjarja kriminale në guroren e Borizanës është dëshmia më autentike e karakterit mafioz të shtetit të Edi Ramës. Banda Rraja në vite ka përbërë mafien më të rrezikshme të Shqipërisë së Mesme, e lidhur si mishi me thoin me Edi Ramën, Taulant Ballën dhe pushtetarët e tjerë.
Banda Rraja ka qëndruar mbi ligjin për vite e vite, e mbështetur fuqimisht nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Ata janë përdorur si vrasës me pagesë, si torturues dhe arrestimi i fundit i nipit të Rrajës deputet, ne ia detyrojmë shërbimeve të vendeve mike dhe partnere, sepse ata kanë sjellë të gjithë regjistrimin, interceptimin mbi të cilat u realizua arrestimi i tij. Por ai ishte një prej tyre, natyrisht jo i shkëputur. Bota i pa se si vërsulën në mënyrën më shtazore ndaj dy qytetarëve që kishin shkuar të ankohen te policia Rraja, se më e keqe ishte policia aty që i shiti dhe i tradhtoi ata, dhe i bëri ata nishan për një grup shtazor, jo njerëzish. Pasi u kishin prishur shtëpinë, donin t’u mbyllnin gojë me shkopinj dhe revole.
Kjo ngjarje që ka tronditur thellë shoqërinë shqiptare, e cila dëshmon përfundimisht se ligji është në duart e mafies, rendi është në duart e mafies, ka pasur jehonë dhe ndërkombëtare. Por për këtë ngjarje, në zbatim të kodit të mafies, një njeri nuk ka folur dhe ky është Edi Rama. Edhe Rrahmani vetë foli dy fjalë, por Edi Rama nuk ka shqiptuar asnjë fjalë për ngjarjen. Kodi i padrinos ky është. Thjesht hoqi ministrin e familjes dhe emëroi mikun më të ngushtë të Rrajave pas vetes së tij në politikë, që është Taulant Balla, emërimin e të cilit në Ministrinë e Rendit, bandat e qyteteve e festuan me fishekzjarre”, u shpreh Berisha.
/a.r