Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Holandës për selinë e Gjykatës Speciale nuk trajton aspekte që ndërlidhen me koston financiare dhe vuajtjen e burgut nga të dënuarit potencialë, shkruan “Koha Ditore”. Holanda, si shtet pranues, ka hequr dorë nga hisja eventuale në këto dy çështje.
Marrëveshja që pritet të hyjë së shpejti në fuqi, është ratifikuar një ditë më parë vetëm me dekret të presidentes Atifete Jahjaga, dhe jo siç kërkon Kushtetuta që ratifikimin ta bëjë Kuvendi. Ajo trajton shumë aspekte të funksionimit të Speciales. Megjithëkëtë, për çështje që ndërlidhen me shpenzimet gjatë funksionimit të saj, e edhe me vuajtjen e dënimit, është paraparë të ketë marrëveshje të tjera.
BE-ja duhet të marrë përsipër operimin e Speciales. Ndërkaq, marrëveshja me Holandën saktëson se financimi i Speciales nuk do të bëhet nga buxheti i Kosovës.