Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesës së tij.
Kreu i SPAK, Altin Dumani po parashtron kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt në Këshillin e Mandateve.
Gjatë zhvillimit të mbledhjes, përfaqësuesit e SPAK kanë deklaruar se nuk kanë informacion se ku ndodhet Arben Ahmetaj pas pyetjes së drejtuar nga opozita.
Ora 17:05 – Mbledhja u ndërpre për rreth gjysmë ore pasi opozita në Këshill ka kërkuar që të mbahet me dyer të hapura. Gazetetarja e Klan News, Klesiana Omeri, raporton se mazhoranca ka qenë kundër kësaj kërkese. Kjo përplasje ka krijuar debat mes Ermonela Felajt dhe Ervin Salianjit, gjë që ka shkaktuar ndërprerjen e mbledhjes, e cila ka filluar pak minuta më parë.
Ora 15:50 – Para nisjes së mbledhjes, në një lidhje direkte me edicionin e Tv Klan, gazetarja Elja Zotka nga Kryesia e Kuvendit ku mbahet mbledhja, e pyetur nëse do të jetë i pranishëm ish-Ministri Ahmetaj tha: “Edhe përse e kishte këtë mundësi që të paraqitej përpara kolegëve të Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, zoti Ahmetaj duket se nuk do ta shfrytëzojë. Ai do të përfaqësohet në këtë mbledhje nga dy avokatët e tij, Erik Ligori dhe Ardian Visha”.
Zotka u shpreh se nga komunikimi që kishte pasur me avokatët e Ahmetajt, ata i kishin thënë se nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.
“Po në fakt kam komunikuar me të dy avokatët e tij, por të dy zyrtarisht thonë se nuk kanë dijeni mbi vendndodhjen e zotit Ahmetaj. Pra askush deri në këto momente nuk di nëse zoti Ahmetaj ndodhet në Shqipëri apo jashtë territorit të Shqipërisë”.
Gazetarja tregoi po ashtu procedurën që do të ndjekë Këshilli për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.
“Prej vitit 2019-të kur janë bërë ndryshimet në rregullore, SPAK duhet patjetër që përpara anëtarëve të Këshillit të Imunitetit dhe mandateve të paraqesë dhe prova. Për t’i paraqitur këto prova, do të jetë vetë kreu i SPAK, Altin Dumani i shoqëruar nga njëri prej kolegëve të tij. Po ashtu, duhet patjetër që të përpilohet një relacion nga Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve dhe brenda dy javëve ky raport të miratohet nga parlamenti. Por nga komunikimi që unë pata me të dy avokatët e zotit Ahmetaj, ata thonë se do t’i kërkojnë këtij Këshilli më shumë kohë për t’u njohur dhe përgatitur për materialet sepse është voluminoze sipas tyre e gjithë dosja që ata kanë arritur të marrin nga Kuvendi ditën e ndjeshme. Dhe të do të kërkojnë të paktën 48 orë kohë për t’u përgatitur, ndaj do t’i bëjnë kërkesë Këshillit për shtyrje po nuk e di sa do të merret parasysh kërkesa e tyre, gjithsesi kjo është procedura. Pasi anëtarët e Këshillit të dëgjojnë edhe përfaqësuesit e SPAK, edhe avokatët mbrojtës të zotit Ahmetaj, Komisioni, që është i përbërë nga 10 anëtarë, 5 nga mazhoranca, 5 nga opozita, duhet të hartojë një raport që i dërgohet parlamentit”.
Sipas kërkesës së SPAK, mbledhja e lajmëruar do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
/f.stafa