Në Myzeqe është ulur ndjeshëm ritmi i korrjes. Mbyllja e pikave te grumbullimit te grurit dhe çmimi i ulët ka krijuar një kaos të fermerët.
Thanas Veliu, një nga fermerët i cili kultivon sipërfaqe të mëdha me grurë, shprehet se e ka magazinuar grurin se nuk mund ta shesë në këto kushte. Thanasi tregon se nuk ka përfituar asgjë nga skemat e subvencioneve dhe grurin është përpjekur ta çojë në pikat e grumbullimit, por pas analizave ka rezultuar me rreze të dobët.
Franc Kaloshi, një nga kultivuesit më të mëdhenj në Myzeqe ka ende rreth 50 hektarë pa korrur, edhe pse duhet të kishte 25 ditë që ta kishte përfunduar. Për këtë, ai fajëson pikat e grumbullimit dhe politikat e ndjekura që i quan skema të dështuara.
“Jam i gatshëm t’i vë flakën ose ta shpërndaj për bamirësi dhe me këtë çmim nuk e dorëzoj në këto pika”, shprehet ai.
Bajram Mehmeti prej 30 vitesh është autokombajner. Ai shprehet se ka ndaluar korrjen pasi çmimi nuk e justifikon punën. Madje, ai kërcënon se është i gatshëm të djegin arën sesa ta korrin grurin.