Policia ka bërë me dije se edhe një person tjetër i përfshirë në sherrin masiv në Krujë është arrestuar. Bëhet fjalë për Rexhep Rrajën, djalin e deeputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
4 persona janë aktualisht në prangat e policisë.
Ditën e djeshme në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë mes dy fiseve, Maja dhe Rraja pati një përplasje të fortë fizike, pamjet e të cilës qarkulluan në media, ku për një gurore disa persona qëllohen me hunj në mes të një lokali të populluar me njerëz të tjerë të cilët pijnë kafe.
Njoftimi i policisë:
Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.