De-përshkallëzimi në Francë duket se po konfirmohet, me një mbrëmje të qetë gjatë të hënës në frontin e dhunës urbane, ndërsa Presidenti Emmanuel Macron pret sot kryetarët e rreth 220 bashkive që janë “viktima të abuzimit” në të gjithë vendin.
Takimi vjen pak orë pasi Macron shkoi në një stacion policie në Paris për të treguar mbështetjen e tij për policinë, ndërkohë që 45 mijë agjentë e xhandarë u vendosën sërish në terren.
Sipas Florence Lustman, presidente e France Assureurs, 5,800 raste dëmesh në automjete u janë deklaruar deri më tani kompanive të sigurimit.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme njofton se që nga fillimi i trazirave në të gjithë Francën janë djegur 5892 automjete.
“Ne kemi 243 shkolla që kanë pësuar dëme“, tha ministri i Arsimit Pap Ndiaye për RTL të martën në mëngjes.
Në La Verrière (Yvelines), për shembull, Pap Ndiaye specifikoi se një çerdhe dhe një shkollë fillore do të duhet të rindërtohen plotësisht, pasi janë shkrumbuar.
Plani i qeverisë është që në fillim të vitit shkollor, nxënësit që humbin shkollën do të shpërndahen nëpër institucione të tjera arsimore, derisa objekti i tyre të rikonstruktohet.
“Për të tjerët do të duhet të bëhen riparime që në fillim të vitit shkollor nxënësit të priten në kushte të kënaqshme. Kthimi i të gjithë nxënësve në shkollë në fillim të vitit është prioriteti ynë absolut”, këmbënguli ministri.
Ndërkohë, në terren zbritën edhe ministri i Ekonomisë Bruno Le Maire dhe ajo e Tregtisë, Olivia Grégoire. Në Essonne ata takuan tregtarët nga Saint-Germain-les-Arpajon dhe Arpajon, duke përçuar dy mesazhe.
Së pari me vendosmëri, që autorët e këtyre akteve të pafalshme do të ndëshkohen dhe i dyti premtim për mbështetjen, veçanërisht financiare.
Një ndër masat që qeveria mund të marrë është anulimi i tarifave dhe taksave për bizneset e goditura rëndë nga trazirat.
“Ne mund të konsiderojmë heqjen e tarifave sociale dhe tatimore rast pas rasti për tregtarët më të prekur. Këshilltarët e daljes nga kriza do të aktivizohen në secilin departament”, tha ministri i Ekonomisë.
Edhe federata e kompanive të sigurimit u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të ndihmojnë biznesin.
France Assureurs u bën thirrje anëtarëve të saj të “zvogëlojnë” zbritjet për “tregtarët e vegjël të pavarur më të goditur” nga dhuna urbane.
Gjithashtu i fton ata të zgjasin afatin e deklarimit të dëmeve në 30 ditë, krahasuar me 5 ditët e zakonshme, për të “përshpejtuar procesin e kompensimit” dhe për “lehtësimin e pagesës së depozitave për përballimin e situatave më të vështira”.
/f.stafa