Evi Kokalari ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për të shpalosur vizionin e saj për lëvizjen konservatore që ka themeluar dhe që pritet të garojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Analisti Neritan Sejamini i kërkoi Kokalarit të përshkruajë “një konservator shqiptar”, duke shfaqur skepticizëm që të ketë një frymë të tillë në vendin tonë.
Pjesë nga biseda në studio:
Neritan Sejamini: Gjithmonë është pozitive kur krijohet një parti e re dhe urime për këtë nismë tuajën. Më bëri përshtypje kur thatë se këtu në Shqipëri keni gjetur një frymë konservatore. Këtu jam shumë i habitur sepse nuk e di çfarë do të thotë një konservator shqiptar. Mund të na e përshkruash çfarë është një konservator shqiptar?
Evi Kokalari: Janë ata njerëz që flasin për atdheun, familjen dhe Zotin. Ajo që dua t’ju shpjegoj shqiptarëve është që, nuk dua të bëj doktrinën e konsevatorizmit sepse është shumë e thellë dhe duhet shumë punë. Nëse ka një gjë që shqiptarët duhet të fokusohen në parimet e konservatorizmit, është që interesi i Shqipërisë dhe vendit duhet të jetë përpara interesit vetjak. Në momentin që kupton, që interesi i Shqipërisë, e kupton që nuk vë në çdo moment xhepin tënd dhe nuk e do partinë për pazare, por vë interesin e këtij vendi… Prandaj dua t’i sjell edhe nga jashtë sepse ata e kanë këtë ide. Siç themi se është MAGA në Amerikë. Çfarë është MAGA? Interesi i Amerikës i pari. Kaq dua unë që të mësojnë shqiptarët nga konervatorizmi, të tjerat vijnë.
Neritan Sejamini: Ka njëfarë kontradikte. Ju thoni se një nga parimet bazë të konservatorizmit është që interesi i vendit është para çdo gjëje. Ju thoni që dikush ka ikur në Amerikë për 30 vjet. Por nuk e ka patur Shqipërinë të parën, ka patur familjen e vetë sepse ka vajtur në një vend që jetohet më mirë. Tani do të vijë këtu dhe do ta provojë katër vjet dhe pastaj ikën prapë në Amerikë. Nuk më duket se është interesi i vendit i pari.
Evi Kokalari: Unë e thashë si opsion që mund të kthehesh në Amerikë, sepse me personat që unë kam folur edhe mund të rrinë. Ata nuk po vijnë në Shqipëri për një jetë më të mirë, ata e kanë plotësuar çfarë kanë marrë në Amerikë, kanë një jetë normale dhe ti e di standartin e shtresës së mesme, që ka një jetë deri diku komode. E di sa ka shqiptarë në Amerikë që flasin, si do ta bëjmë një ndryshim në Shqipëri? Ata nuk vijnë për jetë më të mirë, por e marrin sakrificën për të bërë një ndryshim.
Neritan Sejamini: Jam dakord, madje ka edhe njerëz në Shqipëri që duan ta bëjnë Shqipërinë. Problemi që na ka treguar historia, është që përpiqen disa muaj, bëjnë parti para zgjedhjeve dhe pastaj kthehen te jeta e tyre private. Çështja është, sa seriozë janë këta njerëz që do të përkushtohen për Shqipërinë sot e tutje? Do të lënë gjithçka për interesin e Shqipërisë, që mund të dojë të fillosh një lëvizje sot dhe të punosh edhe 10 vjet. Nëse edhe këta do të rrinë pak dhe do ikin, nuk bëhet.
Ylli Rakipi: Se për ta shkatërruar, të majtët dhe Saliu, e shkatërruan për 30 vjet. Për ta ndërtuar duhen 60 vjet. Ke njerëz të tillë që të vijnë të luftojnë?
Evi Kokalari: Ju vazhdoni dhe shikoni fushatat këtu. E kuptoj që duhet të kesh emër, por unë njihem, njerëzit më njohin, i dinë parimet e mia. Nuk është se unë po vij nga zero, ju më njihni edhe më parë. E dyta, mënyra si e koncepton arritjen e një suksesi me një lëvizje të re, është që unë të dalë në TV gjithë kohën dhe të bëjë fushatë prej gjashtë vitesh që të më njohin njerëzit. Unë kam një koncept tjetër, mua më duhen vetëm 140 vetë.
Ylli Rakipi: Si 140 veta gjithsej? Po më mirë merr këta të Endri Meksit këtu (në MCN), janë nja 140 veta që vijnë vërdallë.
Evi Kokalari: 140 vetë të zgjedhur, që janë në nivelin që unë mendoj se duhet të jenë për t’u futur në Parlament. I gjithë ndryshimi vjen nga Parlamenti shqiptar. Po nuk pate mazhorancën me njerëz normalë, në Parlament nuk bën dot ndryshime.
Ylli Rakipi: Po i ke parë ti Parlamentarët shqiptarë? Pjesën dërrmuese i zë libri, sa hapin faqen e katërt të librit bien në tokë, dehen nga libri. Tani ti ku do ti gjesh këta? Se ti na shpëtoke të gjithëve?
Evi Kokalari: Këtë pra po them. Imagjino të kemi mundësinë, të kemi 140 vetë të edukuar jashtë, edhe brenda, por shumica nga diaspora që nuk janë këtu që mezi presin të hyjnë në Parlament për t’u marrë me korrupsion, të pasurohen. Këtu ka një babëzi për para. Ky është problemi. Po solle 140 vetë të saktë, edhe nëse nuk merr mazhorancën, ti ndryshon Parlamentin, ligjin, shumë gjëra. Gjithë ndryshimi fillon te Parlamenti. Nëse ti e mbush këtë 140 me njerëz nga SHBA apo Europa, njerëz që kanë ikur për kohë të gjatë dhe nuk vijnë për t’u pasuruar, në Amerikaë ka plotë.
/a.r