Vrasja e Nahelit 17-vjeçar nga një efektiv i policisë së Parisit dhe trazirat e shoqëruara me zjarr e dhunë në skena të ngjashme me ato të luftës civile në mbarë Francën, duket se nuk e shqetësojnë Emmanuel Macron.
Presidenti francez është kritikuar ashpër pasi një natë më parë është fotografuar duke kërcyer dhe shijuar në maksimum koncertin e legjendës Elton John, ndërkohë që kryeqyteti zhytej në kaos.
“Ekzekutimi” i adoleshentit i ka shndërruar qytetet franceze gjatë mbrëmjes në qendra të rebelimit mes dhunës së paprecedentë e plaçkitjeve, por Macron u shfaq i lirshëm me një këmishë të bardhë gjatë koncertit të së mërkurës në Accor Arena.
Teksa Franca digjet, presidenti po ashtu u filmua duke kërcyer nën ritmet e këngës Saturday Night’s Alright for Fighting, së bashku me gruan e tij Brigitte.
Macron gjeti kohë edhe për të bërë një foto me muzikantin legjendar dhe bashkëshortin e tij David Furnish në prapaskenë pas turneut të tij lamtumirës në Paris.
Ai gjithashtu i dha këngëtarit britanik të hitit “Rocket Man” çmimin Legjioni i Nderit të Francës, por kjo sjellje moskokëçarëse e kreut të shtetit në kulmin e trazirave është kritikuar ashpër.
Thierry Mariani, një eurodeputet me tubimin kombëtar të Marine Le Pen reagoi për sjelljen e Macron duke shkruar në rrjetet sociale: “Teksa Franca digjej, Macron duartrokiti Elton John“.
Me lajmet për takimin e tij me Elton John që shtuan tërbimin e turmave në Paris, Macron u përpoq të caktonte një takim të ri të premten, ku do të diskutohet për zgjidhjen e krizës.