Shqipëria po përjeton një bum të plotë turistik dhe vendi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë çdo vit me shpresë që të kalojë pragun e 10 milionë vizitorëve përgjatë 2023.”
Ky është artikulli i radhës për vendin tonë nga mediat e huaja shkruar nga “Euronews” në variantin në frëngjisht.
“Nëse Shqipëria ka qenë kaq e suksesshme vitet e fundit, kjo është për arsye se 450 kilometrat e saj bregdetare ofrojnë plazhe që të lënë pa frymë. Që nga fillimi i Pranverës suksesi i vendit ka qenë i dukshëm dhe agjencitë turistike presin gjithnjë e më shumë turistë”, shkruan Euronews.
Sipas artikullit në frëngjisht të medias së mirënjohur ndërkombëtare, numri i turistëve që zgjedhin Shqipërinë rritet me rreth 20-30% dhe çdo vit dhe në vitin 2023 mund të dyfishohet në krahasim me shifrat e vitit 2022.
“Euronews” ngre dhe pyetjen se cilët janë çelësat e suksesit të Shqipërisë?
“Bukuria e peizazheve të saj, natyra mikpritëse e shqiptarëve dhe mbi të gjitha çmimet e saj të përballueshme! Sipas operatorëve turistikë, kostoja mesatare e një nate në një hotel me ushqim të plotë varion nga 30 deri në 300 euro. Turistët vlerësojnë mundësinë për të përballuar një qëndrim me kosto të ulët në Mesdhe, ndërsa shijojnë plazhe relativisht të qeta”, nënvizon artikulli në gjuhën frënge.
Muajt e fundit turizmi shqiptar ka patur jehonë në artikuj të rëndësishëm të mediave prestigjioze si BBC, The Sun, Daily Mail, The Telegraph, RAI apo mjaft media të tjera ndërkombëtare duke shërbyer si udhërrëfyes për turistët e huaj.
/f.stafa